Një efektiv u dhunua mbrëmjen e djeshme në Sarandë. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 3 të qytetit jugor, ku disa persona ushtruan dhunë ndaj Mihal Velços, me detyrë oficer krimesh pranë Komisariatit të Policisë Sarandë.
Velço ka qenë duke udhëtuar me motor, kur është fyer e më pas kanosur. Pasi zbriti nga mjeti, ai u konfliktua fizikisht me ta. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por paraprakisht ka të dhëna se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të organizuar.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë nisur një aksion në gjithë qytetin e Sarandës deri në orët e para të mëngjesit. Janë kryer kontrolle banesash, lokalesh dhe mjedisesh publike, duke u shoqëruar disa persona, të cilët u morën në pyetje.
Deri tani nuk ka informacion lidhur me kapjen e autorëve të dyshuar. Po punohet për zbardhjen e rastit.