Krimi kibernetik po rritet me ritme rekord, ndërsa Inteligjenca Artificiale po bëhet njëkohësisht mjet mbrojtjeje dhe arme për hakerat. Sipas raportit Global Cybersecurity Outlook 2025 të Forumit Ekonomik Botëror, numri mesatar i sulmeve javore ndaj organizatave është rritur me 58% në dy vitet e fundit, ndërsa bizneset e vogla mbeten më të ekspozuarat.
Më poshtë janë 10 zhvillimet kryesore që kanë përcaktuar panoramën globale të sigurisë kibernetike këtë vit.
1. Buxhetet po ngushtohen – IA merr rolin kryesor
Pavarësisht rritjes së sulmeve, fondet për siguri janë ulur nga 17% në 2022 në vetëm 4% në 2025. Për shkak të mungesës së ekspertëve, shumë kompani po përdorin IA për të automatizuar mbrojtjen.
2. Inteligjenca Artificiale rrit edhe rreziqet
IA po përdoret gjithashtu nga hakerat vjedhje identitetesh dhe sulme kibernetike.
Kompania Anthropic ka raportuar se teknologjia e saj është përdorur për të krijuar kode të dëmshme ndaj të paktën 17 organizatave.
3. Mashtrimet sociale shfrytëzojnë besimin njerëzor
Grupi “Scattered Spider” ka goditur kompani si Allianz, M&S dhe Qantas duke u shtirur si punonjës përmes rrjeteve të brendshme.
Ekspertët theksojnë se siguria nuk është vetëm aftësi teknike, por “aftësi jetësore”.
4. Deepfake-t po bëhen armë të zakonshme
Kriminelët përdorën imazhe dhe zëra të rremë të drejtuesve të kompanisë Arup për të vjedhur 25 milion dollarë.
Ferrari shmangu një mashtrim të ngjashëm falë vigjilencës së stafit. Danimarka miratoi ligj për mbrojtjen e zërit dhe pamjes individuale nga përdorimi pa leje.
5. Sulmi ndaj Marks & Spencer
Pas një sulmi ransomware në prill, kompania britanike rifilloi shërbimin online vetëm pas tre muajsh, duke humbur rreth 300 milion dollarë. Qëndrueshmëria kibernetike kërkon strategji të gjera, jo vetëm masa teknike.
6. Ligje të reja për mbrojtjen dixhitale
BE ka miratuar paketën Digital Operational Resilience Act dhe AI Act, ndërsa Britania po ndalon pagesat e ransomware nga sektori publik. Ransomware mbetet rreziku më i madh për bizneset.
7. Qeveritë përdorin IA për mbrojtje
OpenAI ka nënshkruar kontratë 200 milion dollarëshe me Pentagonin për zhvillimin e mbrojtjes dixhitale. Microsoft ofron shërbime falas për qeveritë europiane, ndërsa Orange krijon një divizion të ri sigurie.
8. Krimi kibernetik po globalizohet
Në gusht, INTERPOL dhe AFRIPOL çmontuan 25 qendra të paligjshme të kriptomonedhave në 18 vende afrikane, me 1,200 arrestime dhe 97 milion dollarë të rikuperuar.
9. Mungesa e ekspertëve mbetet alarmante
Vetëm 14% e organizatave në botë kanë staf të kualifikuar për siguri dixhitale. WEF propozon partneritete publike–private për formimin e talenteve, duke marrë modele nga Kenia dhe Arabia Saudite.
10. Sulme në aeroportet europiane
Në fund të shtatorit, një sulm ndaj sistemeve të check-in-it goditi aeroportet e Londrës, Berlinit, Dublinit dhe Brukselit, duke shkaktuar vonesa masive.
Qëndrueshmëria kibernetike është përgjegjësi e përbashkët në gjithë zinxhirin e aviacionit, thekson Forumi Ekonomik Botëror.