Kina ka ndaluar kompanitë vendase të përdorin softuer të sigurisë kibernetike nga disa kompani amerikane dhe izraelite për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare. Në mesin e kompanive të ndaluara janë VMware, Palo Alto Networks, Fortinet nga SHBA dhe Check Point nga Izraeli. Autoritetet kineze shprehen shqetësimin se këto programe mund të grumbullojnë dhe transmetojnë informacion konfidencial jashtë vendit.
Nuk dihet saktësisht sa kompani kineze kanë marrë këtë urdhër. Lëvizja është pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të zëvendësuar teknologjinë perëndimore me alternativa vendase. Analistët kinezë thonë se qeveria po shqetësohet gjithnjë e më shumë se pajisjet perëndimore mund të jenë të prekshme nga sulme të huaja.
Krimi kibernetik po rritet me ritme rekord, ndërsa Inteligjenca Artificiale po bëhet njëkohësisht mjet mbrojtjeje dhe arme për hakerat. Sipas raportit Global Cybersecurity Outlook 2025 të Forumit Ekonomik Botëror, numri mesatar i sulmeve javore ndaj organizatave është rritur me 58% në dy vitet e fundit, ndërsa bizneset e vogla mbeten më të ekspozuarat.
Ndërkaq, një raport i kompanisë Anthropic zbulon një evolucion ogurzi të krimit kibernetik. Kompania Anthropic, krijuesi i inteligjencës artificiale Claude, ka bërë të ditur se sistemet e saj janë keqpërdorur për të kryer sulme kibernetike në mbarë botën. Në raport thuhet se bëhet fjalë për një praktikë të re të njohur si “vibe-hacking”, ku AI jo vetëm ndihmon, por edhe ekzekuton vetë fazat kyçe të sulmit, nga mbledhja e të dhënave deri te formulimi i kërkesave për shpërblim. Sipas raportit, sulmuesit kanë përdorur Claude Code për të goditur të paktën 17 organizata brenda një muaji në sektorë të ndryshëm, nga institucione shëndetësore dhe shtetërore, te komunitete fetare dhe shërbime emergjente.