Aktorja e njohur Nicole Kidman ka habitur publikun me një deklaratë të papritur gjatë paraqitjes së saj në emisionin The Tonight Show Starring Jimmy Fallon. Duke folur për rolin e saj të ri në serialin Scarpetta, ajo zbuloi se tashmë ka mësuar madje edhe të kryejë një autopsi.
Gjatë intervistës, Kidman shpjegoi se për rolin e patologes forenzike Dr. Kay Scarpetta ka bërë një përgatitje shumë serioze.
Mund të heq të gjitha organet. Madje mund t’i emërtoj të gjitha
-tha ajo me humor.
Kur moderatori Jimmy Fallon e pyeti nëse është një aktore që përdor metodën e thellë të përgatitjes për rolet, ajo u përgjigj shkurt:
Po, jam.
Kidman tregoi gjithashtu se para se të dilte në emision i kishte dërguar mesazh Fallon-it për të parë nëse ai ishte gati për një demonstrim autopsie gjatë programit, gjë që moderatori e mohoi me të qeshur.
Përveç nëse e kam kuptuar gabim… ndoshta bëhej fjalë për një model ose diçka të tillë
-tha aktorja me shaka, duke shtuar se mund të identifikojë dhe të nxjerrë organe si mushkëritë, mëlçinë, fshikëzën e tëmthit dhe zorrët.
Ajo shpjegoi se gjithë këtë njohuri e ka fituar gjatë përgatitjes për rolin, duke punuar nga afër me një patolog profesionist dhe duke studiuar procesin e punës së tij.
Fituesja e çmimit Oscar është gjithashtu producente ekzekutive e serialit, i cili bazohet në librat e autores Patricia Cornwell.
Në këtë thriller të ri ajo do të shfaqet përkrah aktorëve si Simon Baker, Jamie Lee Curtis, Ariana DeBose dhe Bobby Cannavale.
Seriali pritet të sjellë në ekran historitë e famshme të Dr. Kay Scarpetta, një nga personazhet më të njohur në botën e romaneve kriminale.