Aktorja e njohur Nicole Kidman është shtruar në spital pasi vendosi të vazhdonte xhirimet, edhe pse po përballej me një grip të rëndë, duke realizuar një skenë tepër të lodhshme fizike për serialin “Margo’s Got Money Troubles”.
Lajmin e ka bërë të ditur kolegu i saj, Nick Offerman, i cili tregoi se aktorja ishte dukshëm e sëmurë gjatë gjithë ditës së xhirimeve, por nuk u tërhoq deri në përfundimin e skenës.
Ai rrëfeu se në fillim të ditës, ekipi ishte përgatitur për një skenë mundjeje profesionale, ku Kidman interpreton personazhin Lace, ndërsa ai vetë luan rivalin Jinx.
Fillimisht, produksioni u përball me lajmin se aktorja mund të mungonte për shkak të gjendjes shëndetësore.
Na thanë në mëngjes se Nicole kishte grip dhe ndoshta nuk do të vinte. Ishte një situatë e vështirë, sepse kishim vetëm atë ditë për të xhiruar gjithë skenën
-tregoi Offerman.
Por disa orë më vonë, situata mori kthesë të papritur.
Rreth orës 11 na njoftuan: Nicole po vjen
-shtoi ai.
Sipas tij, ylli i serialit “Big Little Lies” u shfaq në xhirime në gjendje të rënduar shëndetësore.
Ishte shumë e zbehtë, dridhej dhe dukej qartë që kishte grip të fortë
-u shpreh aktori.
Megjithatë, pavarësisht gjendjes, Kidman nuk u tërhoq dhe realizoi skenën intensive fizike, duke treguar profesionalizëm të jashtëzakonshëm.
Pas përfundimit të xhirimeve, situata u bë edhe më serioze.
Sapo mbaroi, u dërgua menjëherë në spital për të marrë serum
-zbuloi Offerman.
Rasti i saj ka nxjerrë në pah edhe një herë përkushtimin ekstrem të aktorëve ndaj punës, por njëkohësisht ka ngritur pikëpyetje mbi kufijtë e sakrificës në industrinë e argëtimit.