Në një botë që kërkon gjithmonë më shumë shpejtësi, fluturime të shpejta, “city break” me itinerarë të tejmbushur dhe postime të pandalshme në Instagram,një trend i ri po përhapet: “slow travel”, ose “udhëtimi i ngadaltë”. Kjo nuk është thjesht një mënyrë për të lëvizur, por një filozofi që promovon përvojën autentike, lidhjen me vendin dhe ndjesinë e pranisë së plotë.
Termi “slow travel” lindi si degë e lëvizjes “slow food” në vitet ’80 në Itali, një reagim ndaj ushqimit të shpejtë dhe konsumit masiv. Në thelb, udhëtimi i ngadaltë i fton njerëzit të ndalojnë së vrapuari pas atraksioneve kryesore dhe të përqendrohen në përjetime të thella: të ecin në këmbë në lagje të panjohura, të bisedojnë me banorët vendas, të hanë në tregje lokale dhe të shijojnë ritmin e jetës vendase.
Sipas një raporti nga Booking.com:
64% e udhëtarëve thonë se duan të shpenzojnë më shumë kohë në më pak destinacione, ndërsa 44% kërkojnë mënyra për të reduktuar ndikimin e tyre në mjedis, gjë që “slow travel” e mundëson natyrshëm.
Kjo qasje ka edhe përfitime të mëdha personale:
Ul stresin, rrit ndjesinë e vlerësimit dhe ndihmon në krijimin e kujtimeve më të qëndrueshme.
Nuk është rastësi që shumë ekspertë të mirëqenies sugjerojnë pushime më të gjata në një vend të vetëm, sesa 3 qytete në 5 ditë. “Slow travel” nuk ka nevojë të jetë i shtrenjtë. Mund të jetë një javë në një fshat malor shqiptar, një muaj si vullnetar në një fermë në Greqi, apo thjesht një fundjavë në një qytet të vogël ku vendos të mos nxjerrësh kamerën. Në thelb, kjo mënyrë udhëtimi është një ftesë për të ngadalësuar, për të ndjerë dhe për të lidhur me botën jo si konsumator, por si njeri i pranishëm dhe kurioz.