Aktualitet

“Na bashkonte dashuria dhe pija”, rrëfehet autori i dyshuar i vrasjes së 52-vjeçares në Pogradec!

Ilirjan Selmani, i dyshuar si autor i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço dje në Pogradec u rrëfye në polici. Selmani u shpreh se e dashuronte Kozetën dhe nuk i bënte përshtypje diferenca në moshë, se siç tha, i bashkonte dashuria. Por, pretendoi se kohët e fundit viktima e rrihte dhe e përdorte, ndërsa mohoi vrasjen.

Besoj në Zot. E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës. Ajo dehej shpesh. Njësoj bëja dhe unë. Kjo na bashkonte, dashuria dhe e pira. Kohët e fundit kishte raste kur më godiste. E duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më. E dija që ishte më e madhe por unë e doja. Nuk më bënte përshtypje mosha. Ajo me përdorte, nuk më donte, u rrëfye 31-vjeçari para bluve.

Ndërsa pritet vlerësimi psikologjik i tij, Selmani rrëfeu pse kishte hedhur në mbeturina peshqirët me gjak.

Peshqirët me gjak i hodha në mbeturina duke menduar se mos në apartament ishte therur ndonjë pulë, sepse bashkëjetuesja ishte e fiksuar pas pastërtisë.

Njoftimi policor: 

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes së ngjarjes së ndodhur më datë 28.07.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës (thikë).

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë e Korçës, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh.

Gruaja jetonte vetëm e në kushte të vështira ekonomike në banesën në lagjen nr. 1 në Pogradec. Ndërkaq, autori i dyshuar i krimit njihet nga policia si përdorues i lëndëve narkotike e si person me simptoma depresioni. Kohët e fundit edhe viktima kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor.