Aktualitet

U tha se humbi jetën nga asfiksia në banesën e djegur, dyshohet të jetë vrarë 52-vjeçarja në Pogradec!

Dyshohet se ishte i qëllimshëm zjarri i rënë sot në mëngjes në një banesë në lagjen 1 të Pogradecit, me pasojë vdekjen e shtetases Kozeta Teço. Nga grupi hetimor ka dyshime se ngjarja mund të jetë kriminale. Nga kqyrja paraprake e trupit të viktimës, ekspertët mjeko-ligjorë konstatuan shenja të jashtme dhune.

Deri tani, pista e hetimit është ajo e vrasjes për motive pronësie. 52 vjeçarja Kozeta Teço u gjet e pajetë në apartamentin e djegur. Mësohet se në vendngjarje u sekuestruan kamerat e sigurisë në dy objekte në afërsi të pallatit. Gjithashtu, u shoqëruan disa persona në komisariatin e policisë së Pogradecit për t’u marrë në pyetje. Më herët, në njoftimin policor thuhej:

Rreth orës 06:00, në lagjen nr. 1, në banesën e shtetases K. T., rreth 52 vjeçe, ka rënë zjarr. Si pasojë e asfiksimit nga tymi, ka ndërruar jetë 52-vjeçarja. Grupi hetimor dhe shërbimi zjarrfikës ndodhen në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.