Ilirjan Selmani ishte prej 3 vitesh në lidhje intime me 52-vjeçaren Kozeta Teço, të cilën e vrau një ditë më parë brenda banesës së saj në Pogradec. Policia e Korçës ka zbardhur dinamikën e krimit, ndërsa 31-vjeçari u vu në pranga, i akuzuar për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.
Mbrëmjen e së dielës, si çdo natë tjetër, Selmani e kishte kaluar në shtëpinë e viktimës. Dyshohet se mes çiftit pati një grindje të çastit dhe më pas 31 vjeçari mori thikën duke e qëlluar disa herë gruan, e cila mbeti e vdekur në vend. Për të fshehur gjurmët, ai e dogji brenda në banesë dhe fillimisht policia dyshoi se gruaja kishte humbur jetën si pasojë e asfiksisë, por goditjet me thikë që u zbuluan në trupin e saj, i dhanë tjetër kthesë ngjarjes.
Pasi i vuri zjarrin banesës, Selmani u largua rreth orës 05:00 të mëngjesit të 28 korrikut. Kamerat e sigurisë ndihmuan hetuesit të bien në gjurmët e tij. Ai u pa pranë pallatit në lagjen numër 1 në Pogradec, teksa hidhte në koshin e mbeturinave disa sende. Aty u gjetën peshqirë e kartopeceta me gjak që dyshohet se janë përdorur nga autori për të pastruar vendin e ngjarjes.
Në njoftimin zyrtar policor thuhet:
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes së ngjarjes së ndodhur më datë 28.07.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.
Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë e Korçës, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh.
Gruaja e pamartuar dhe pa fëmijë, jetonte në kushte të vështira ekonomike në banesën në lagjen nr. 1 në Pogradec. Krahas ndihmës ekonomike, ndihmohej financiarisht edhe nga motrat që jetojnë në Tiranë. Ndërkaq, autori i krimit njihej nga policia si përdorues i lëndëve narkotike e si person që shfaqte simptoma depresioni. Kohët e fundit edhe viktima kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor.