Tech

NASA humb kontaktin me anijen kozmike në orbitën e Marsit!

NASA ka humbur kontaktin me një anije kozmike që ka qenë në orbitën e Marsit për më shumë se një dekadë, megjithëse agjencia hapësinore amerikane tha se po përpiqej të rivendoste një lidhje komunikimi. Maven ndërpreu papritur komunikimin me stacionet tokësore gjatë fundjavës. NASA tha këtë javë se anija kozmike kishte funksionuar mirë përpara se të shkonte pas planetit të kuq. “Telemetria tregoi se të gjitha nënsistemet funksiononin normalisht përpara se të orbitonte pas Marsit”, tha NASA në një deklaratë.

“Anija kozmike dhe ekipet e operacioneve po hetojnë anomalinë për të adresuar situatën. Më shumë informacion do të ndahet sapo të bëhet i disponueshëm”, shtoi NASA. I lançuar në vitin 2013, Maven filloi të studionte atmosferën e sipërme të Marsit dhe ndërveprimin e saj me erën diellore pasi arriti në planetin e kuq vitin pasardhës.

Shkencëtarët përfunduan duke fajësuar Diellin për humbjen e pjesës më të madhe të atmosferës së Marsit në hapësirë gjatë epokave, duke e shndërruar atë nga një botë e lagësht dhe e ngrohtë në një botë të thatë dhe të ftohtë siç është sot. NASA ka dy anije të tjera kozmike rreth Marsit që janë ende aktive: Mars Reconnaissance Orbiter, e lansuar në vitin 2005, dhe Mars Odyssey, e lansuar në vitin 2001.

Ndërkaq, në një zbulim të habitshëm që mund të revolucionarizojë teorinë e origjinës së jetës, NASA njoftoi se ka gjetur sheqerna kritikë për jetën në asteroidin Bennu, 200 milionë milje larg Tokës. Zbulimi i sjell shkencëtarët më afër përgjigjes së një prej pyetjeve më të vazhdueshme të shkencës, si filloi jeta në Tokë. Misioni OSIRIS-REx i NASA-s ka kthyer mostra nga asteroidi Bennu që përmbajnë ribozë, një sheqer me pesë karbone thelbësor për sintezën e ARN-së, si dhe glukozë, burimin e energjisë që fuqizon ekzistencën njerëzore. Riboza është hera e parë që është zbuluar në një mostër asteroidi, megjithëse është gjetur në meteoritë të tjerë në të kaluarën.