Aktualitet

Ndalimi i kandidatit Beleri në Himarë, reagon Athina zyrtare!

Athina zyrtare reagon për ndalimin e kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë Himarë, Fredi Beleri i dyshuar për blerje të votave, dy ditë para zgjedhjeve vendore. Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë njoftoi se ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi, pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, po zhvillon një vizitë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.  Pak pas mesnate, Beleri dhe tre persona, mes tyre avokati i tij u shoqëruan nga uniformat blu në mjediset e Drejtorisë se Policisë Vlorë.

Reagoi kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili shoqërimin e Belerit e konsideroi “ngjarje të paprecedentë” dhe “me urdhër të kryeministrit Rama”.

Pak pas mesnate, pas një jave deliriumi, gjuhë urrejtjeje, përçarjeje dhe stigmatizimi nga ana e Kryeministrit Rama kundër kandidatit të Bashkë Fitojmë në Himarë, z.Beleri, me urdhër dhe porosi të tij, forca policore me tërë kuptimin e fjalës rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruan për në komisariatin e Vlorës, z.Beleri dhe avokatin e tij, të cilët sapo kishin dalë nga një darkë. Eshtë një akt i paprecedentë dhe i pashpjegueshëm nga çdo këndvështrim e optikë demokratike. Fenomen që ka lidhje me regjimet totalitare.

Thirrja jonë është lirimi i menjëhershëm i z.Beleri, garantimi i procesit zgjedhor, i votës së qytetarëve dhe heqja dorë njëherë e mirë nga Z.Rama nga intimidimi i qytetarëve dhe nga përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit. Kemi paralajmëruar si PBDNJ në deklaratën e pardjeshme dhe dëshirojmë përsëri dhe sot t’u drejtohemi mediave të jenë të pranishme, me qëllim që të kemi një proces transparent, një proces që do respektojë vullnetin e sovranit. U drejtohemi përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për monitorim të gjithëditshëm të KZAZ bashkisë Himarë dhe qendrave të votimit sepse vetëm kështu do i priten shanset kryeministrit Rama, i cili ka vënë objektiv të tij strategjik, në shërbim të interesave të tij klienteliste.

Të garantohet procesi dhe shmangia me çdo kush i manipulimit të tentuar nga z.Rama. Beleri të lirohet menjëherë dhe t’i lejohet të ushtrojë si çdo qytetar pa probleme me ligjin, të vazhdojë aktivitetin e tij dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme.

Shprehim neverinë për aktet të tilla policore në kulmin e fushatës zgjedhore, pa artikulime të qarta ligjore. Shprehim me forcë dënimin dhe gjakftohtësinë për t’i shkuar deri në fund procesit zgjedhor dhe për të garantuar fitore. Çdo aktivitet deri në përmbylljen e fushatës do zhvillohet normalisht.