Aktualitet

Akuzat për blerje vote, shoqërohet kandidati i “BF” në Himarë, Fredi Beleri/Kreu i PBDNJ-së, Dule: Të lirohet menjëherë!

Akuzat për blerje të votave, shoqërohet kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i cili gjendej në mjediset e restorantit të tij kur i shkuan uniformat blu. Pas mesnate, u bë shoqërimi i Belerit, avokatit të tij dhe dy anëtarëve të stafit në mjediset e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Reagoi kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili shoqërimin e Belerit e konsideroi “ngjarje të paprecedentë” dhe “me urdhër të kryeministrit Rama”.

Pak pas mesnate, pas një jave deliriumi, gjuhë urrejtjeje, përçarjeje dhe stigmatizim nga ana e Kryeministrit Rama kundër kandidatit të Bashkë Fitojmë në Himarë, z.Beleri, me urdhër dhe porosi të tij, forca policore me tërë kuptimin e fjalës rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruan për në komisariatin e Vlorës z.Beleri dhe avokatin e tij, të cilët sapo kishin dalë nga një darkë. Eshtë një akt i paprecedentë dhe i pashpjegueshëm nga çdo këndvështrim dhe optikë demokratike. Fenomen që ka lidhje me regjimet totalitare.

Thirrja jonë është lirimi i menjëhershëm i z.Beleri, garantimi i procesit zgjedhor, i votës së qytetarëve dhe heqja dorë njëherë e mirë nga Z.Rama nga intimidimi i qytetarëve dhe nga përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit. Kemi paralajmëruar si PBDNJ në deklaratën e pardjeshme dhe dëshirojmë përsëri dhe sot t’u drejtohemi mediave të jenë të pranishme, me qëllim që të kemi një proces transparent, një proces që do respektojë vullnetin e sovranit. U drejtohemi përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për monitorim të gjithëditshëm të KZAZ së bashkisë Himarë dhe qendrave të votimit sepse vetëm kështu do i priten shanset kryeministrit Rama, i cili ka vënë objektiv të tij strategjik, në shërbim të interesave të tij klienteliste.

Të garantohet procesi dhe shmangia me çdo kush i manipulimit të tentuar nga z.Rama. Beleri të lirohet menjëherë dhe t’i lejohet të ushtrojë si çdo qytetar pa probleme me ligjin, të vazhdojë aktivitetin e tij e të kurorëzojë fitoren që është e dukshme.

Shprehim neverinë për aktet të tilla policore në kulmin e fushatës zgjedhore, pa artikulime të qarta ligjore. Shprehim me forcë dënimin dhe gjakftohtësinë për t’i shkuar deri në fund procesit zgjedhor dhe për të garantuar fitore. Çdo aktivitet deri në përmbylljen e fushatës do zhvillohet normalisht.