Politikë

Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, reagon presidenti Begaj: I paharruar!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000”, shkruan Begaj, ndërsa thekson se ai do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator.

Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano ndërroi jetë ditën e sotme, pak muaj pasi festoi 73-vjetorin e lindjes.

Pas disa javësh në gjendje të rëndë shëndetësore, Nano mbylli sytë përgjithmonë në një spital privat në Tiranë, ku po trajtohej për probleme kronike respiratore.

Sipas burimeve mjekësore, politikani i njohur ndodhej në spital që prej datës 8 tetor, ku qëndroi për 24 ditë nën kujdesin intensiv të mjekëve në repartin e reanimacionit.

Postimi i Begajt:

Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000.

Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator.

Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij.

I paharruar!

Kush ishte Fatos Nano!

Në vitin 1991 Fatos Nano filloi karrierën e tij politike pasi u zgjodh si Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri

Në zgjedhjet që u mbajtën më 31 mars 1991, të cilat u fituan nga Partia Socialiste, ai u caktua përsëri si Kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të japë dorëheqjen.

Në mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga Presidenti Sali Berisha.

Në 1997 Nano u liruar nga burgu pas trazirave të kryera në atë kohë, kur falimentuan firmat piramidale që shkaktuan një kryengritje të armatosur kundër Presidentit Sali Berisha.

Në fund të vitit 1997 u zhvilluan dhe zgjedhjet e përgjithshme të cilat u fituan nga PS, ai u caktua si Kryeministër dhe dha dorëheqjen pas trazirave të ndodhura për shkak të vrasjes së Azem Hajdarit.

Në korrik të vitit 2001, PS fitoi zgjedhjet dhe Nano u bë kryeministër për të tretën herë në korrik 2002.

Në 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe mazhorancën në parlament. Pas humbjes së zgjedhjeve, më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.

Më 8 korrik 2007 ai u fut në garën presidenciale në një përpjekje për të zëvendësuar Alfred Moisiun.