Ndërron jetë Fatos Nano. Ekonomist me profesion, ish-kryeministri dhe ish-kryesocialisti sot mbylli sytë, në moshën 73-vjeçare. Nano vuante nga një sëmundje e rëndë dhe prej 24 ditësh ishte në trajtim intensiv për problemet me mushkëritë. Fatkeqësisht, nuk ia doli t’i mbijetojë sëmundjes së rëndë, duke u ndarë nga jeta.
Kujtojmë se Nano u shtrua edhe dy vite më parë në spital, për një sëmundje të rëndë të mushkërive e zemrës.
Një nga figurat më me ndikim në politikën shqiptare të tranzicionit, Nano ka lënë gjurmë të thella në historinë e PS-së dhe në zhvillimet politike të vendit gjatë tri dekadave të fundit. Fatos Nano themeloi dhe drejtoi Partinë Socialiste nga viti 1991 deri më 2005-ën, periudhë gjatë së cilës gjithashtu ka mbajtur detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.
Kur mbi dy vjet më parë, Fatos Nano, sërish gjendej i shtruar në spital në gjendje të rëndë për jetën, kryeministri Edi Rama i akordoi Medaljen e Mirënjohjes Publike ish-kryeministrit.
Rama e përshkruante si “liderin historik të Partisë Socialiste” dhe “njeriun që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci”.
Zemërthyer dhe me një foto të Nanos, sot Rama shkroi:
Lamtumirë kryetar!

Reagoi Erion Braçe:
Njeriu që ribëri të majtën shqiptare sapo u shua. Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!