Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se në Kosovë ka “aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e vendit duke shfrytëzuar përçarjet etnike”.
Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë.
Hovenier foli sot në Prishtinë, në një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington. Diplomati shtoi se “gjithmonë, dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore në të cilën gjendet Kosova para zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Hovenier kujtoi audiencën për një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vite më parë, e cila përfshinte një bisedë jo të vërtetë mes tij dhe kryeministrit Kurti e që synonte “të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.
Fatmirësisht, jo shumë njerëz e morën seriozisht… Por, fakti që një aktor shkroi e përgatiti një skenar, krijoi një regjistrim vetëm për të mbjellë mosbesim e shqetësim në komunitetin serb, si dhe e publikoi atë në rrjetet sociale, është një tregues i këtij problemi.
Në fund të muajit, Hovenier mbyll mandatin. Ambasadori theksoi se “Amerika mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat”.
Dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për mediat që ofrojnë informacion të paanshëm e të saktë. Jemi të vetëdijshëm se ka disa që përpiqen të shfrytëzojnë këtë pretendim për të bërë diçka krejtësisht tjetër, për të dhënë një mesazh që synon qëllime shumë, shumë të ndryshme nga informimi i komunitetit. Kjo duhet të denoncohet dhe ne duhet t’i mbështesim mediat e pavarura.
Puna jonë së bashku është larg përfundimit. Në fakt, mund të argumentoni se [puna] mbi këtë çështje, sapo ka filluar dhe ne jemi me të vërtetë të gatshëm të angazhohemi me të gjithë ju, për të gjetur mënyra të reja për t’ju ndihmuar të mbroni demokracinë tuaj.