BEST OF LIVE FROM TIRANA
E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Drita Avdyli, kryetare e dhomës së ndërmjetësimit në Shqipëri. Ajo ka folur më shumë mbi disa nga rastet më të shpeshta që njerëzit vijnë për ndërmjetësim…
Së fundmi ka patur shumë divorce mes personazheve publikë, a i drejtohen ata Dhomës së Ndërmjetësimit, apo preferojnë ta kalojnë këtë çështje nën zë?
Në fakt, çështjet më të shumta në ndërmjetësim, ke çështjet familjare, kur VIP-at kanë vendosur që të divorcohen. Sepse parimi kryesor tek ne, është konfidencialiteti. Pra ju media sidomos nuk e merrni vesh, nuk japim emra.
Pra ndryshe nga gjykata ku mund të ketë rrjedhje informacioni, tek ju jo?
Patjetër! Jo vetëm që i besojnë konfidencialitetit, por dhe perfeksionit në zhvillimin e procesit. Që të sqarojmë dhe qytetarët, nëse dy persona kanë vendosur që të divorcohen, nëse shkojnë në gjykatë, bëjnë një gjyq për ndarjen dhe pasojat, bëjnë edhe një gjyq tjetër për ndarjen e pasurisë. Kjo do të thotë se ka dy gjyqe të veçanta dhe këto dy gjyqe sigurisht që kanë konflikte shumë të mëdha, sidomos tek VIP-at me çështjet e pronave. Pra zgjat dhe mbi 10 vite procedura e divorcit. Ndërsa nëse vijnë tek ne, jo vetëm që është shumë konfidenciale, palët ulen, ndoshta nuk vijnë bashkë por veçmas, vendosin si do e ndajnë këtë pasuri dhe dy gjyqet bashkohen në një dhe është vetëm një seancë për miratimin e aktmarrëveshjes. Pra kemi konfidencialitet, por kemi dhe shpejtësi në shërbim të këtyre VIP-ave.