Një lajm i rëndë ka tronditur botën e futbollit, pasi ish-lojtari i Lushnjës dhe kampioni me Egnatian, Xhejms Ajinde, është ndarë nga jeta në moshën vetëm 24-vjeçare. Futbollisti nigerian nuk arriti të fitojë betejën me një sëmundje të rëndë që e kishte prekur prej kohësh. Ajinde vuante nga kanceri në veshka, një sëmundje që i dha fund në mënyrë tragjike jetës dhe karrierës së tij në një moshë shumë të re.
Ai kishte lënë gjurmë në futbollin shqiptar, duke qenë pjesë e disa skuadrave dhe duke arritur edhe suksesin më të madh me Egnatian, ku fitoi titullin kampion në Superiore. Klubi i Lushnjës reagoi me një mesazh prekës, duke e përshkruar Ajinden si një futbollist të përkushtuar dhe një njeri me vlera, që do të mbetet gjithmonë në kujtesën e tifozëve dhe komunitetit sportiv. Në reagimin e tij, klubi theksoi se humbi jo vetëm një ish-lojtar, por edhe një pjesë të familjes së tij sportive, duke i shprehur ngushëllimet familjarëve dhe të gjithë atyre që e njohën.