Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot para mediave në konferencën e zakonshme para ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Letonisë.
Tekniku i kuqezinjve ka bërë bilancin e situatës para kësaj sfide, duke folur për rëndësinë që ka ajo në ecurinë e kuqezinjve në këtë edicion të kualifikueseve.
“Mendoj se po flasim për gjëra të ndryshme. Kur mundohesh të shkosh në Botëror, rruga është e vështirë, e dimë shumë mirë, nesër do të jetë një ndeshje kyç, shumë e rëndësishme. Ne dy ditë më parë pamë Letoni-Serbi, ndeshje shumë e vështirë, deri në fund të 90 minutave ishte e hapur. Nuk mund të thuash në futbollin modern që fitohet me 5 apo 6-0. Mund të ndodhë si dje, por jo në futbollin normal, nuk jemi në të njëjtin nivel. Gjithçka është e hapur, duhet të përballemi me skuadra të vështira, fizike, të organizuara. Ata nuk shqetësohen nëse është 0-0 apo 0-1, qëndrojnë në lojë, me goditje standarte janë të rrezikshëm. Golat që kanë shënuar kanë qenë 3 me goditje standarte, janë shtatlartë. Nëse flet për Gjibraltarin dhe miqësoren, është e ndryshme, atmosfera është e ndryshme. Në ekipin kombëtar nuk ke kohë. Duhet të shihja disa lojtarë, Berisha nuk ishte me ne për 6 muaj, por herën e parë si titullar, duhej ta shihja. Duhet të shihja Pajazitin, Kaçurrin, Dajsinanin, Simonin e Shpendin. Pyetini a mund të fitohet 6-0! Pastaj padyshim prisja më shumë në miqësore, por po flasim për gjëra të ndryshme. Jemi përgatitur për nesër, do të jetë e vështirë, por do të jetë një ndeshje kyçe për ne. Sulmi? E kam thënë 10 ditë më parë, nuk e kisha zgjedhur formacionin, por do të ndryshojmë. Ndoshta në fazën mbrojtëse e sulmuese. Kemi seancën e fundit dhe do të zgjedh formacionin, por do të ndryshojmë”.
A jeni koshientë ju dhe skuadra që nesër jeni të dënuar që të fitoni?
“Po, në fakt edhe disa pyetje që iu bënë kapitenit Gjimshiti, si ajo për shembull nëse është një moment i mirë apo i keq për kombëtaren… Është gjithmonë moment i mirë kur ti e ke në dorën tënde situatën dhe sigurisht është një ndeshje e rëndësishme dhe kyçe. Duhet të përgatitemi që të japim një performancë të mirë në 90 minuta dhe të tentojmë të fitojmë nesër. Siç e thashë edhe pak më parë është një moment i mirë i Kombëtares, edhe nëse ka presion, kur ti e ke çdo gjë në dorë, është një moment i mirë. Sigurisht që në futboll luan 11 kundër 11, çdo lloj rezultati ekziston, por futbolli është i tillë. Më shumë se të shqetësohem për lojtarët që nuk janë në listat e skuadrave të tyre për Europën, shqetësohem për ata që kanë ndryshuar ekipin pasi ndryshon metodologjia. Nuk jemi në nivelin për të zgjedhur lojtarët që kanë më shumë minuta me skuadrat e tyre”, tha ndër të tjera Silvinjo.