Një zjarr i ndezur për pastrimin e barit përfundoi me djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke me bimësi në Borsh të Himarës. Autori i dyshuar u identifikua nga policia dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Njoftimi zyrtar:
Ngjarja ndodhi pranë banesës së shtetasit M. K., 51 vjeç, banues në Borsh, i cili dyshohet se ndezi zjarr me qëllim pastrimin e një sipërfaqeje toke, por flakët dolën jashtë kontrollit. Si pasojë, u dogj një zonë kullotash, me shkurre dhe ferra.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë ndërhynë menjëherë dhe kryen veprimet procedurale, duke referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. M.K. do të përballet me akuzën për zjarrvënie e pakujdesshme, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmet e plota.
Në një tjetër zhvillim, Policia e Vaut të Dejës finalizoi me sukses operacionin e koduar “Brezi”, duke arrestuar në flagrancë një 28-vjeçar për armëmbajtje pa leje në fshatin Nënshat.
I ndaluari është shtetasi E.P., banues në këtë zonë, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës teksa lëvizte me një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën e posedonte pa leje. Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan si prova materiale, ndërsa ndaj të riut tashmë kanë nisur procedurat ligjore. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për hetime të mëtejshme.