Rajoni

Ndihmësi i Petkoviçit ndalohet në Kosovë pas fjalimit kundër UÇK-së!

Policia e Kosovës ndaloi ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviç, pas një fjalimi që mbajti në Rahovec, qytet në jugperëndim të vendit.

Pas intervistimit, ai u dërgua në mbajtje dhe në cilësinë e provave materiale iu sekuestruan përkohësisht dy telefona celularë.

Në një postim në Facebook, ministri në detyrë për Punët e Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Popoviç e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore.

Për këtë shkak, zyrtari i qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë.

Ndër të tjera, ministri u shpreh:

Si shtet demokratik dhe sovran, Kosova nuk do të tolerojë fyerje e përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte forcë politiko-ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999. Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve reaguan ashpër ndaj “pranisë së ndihmësit të Petkoviçit në Kosovë”.

Ky është mentaliteti i vartësve të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal, thanë këto organizata përmes një postimi në Facebook.

Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99 janë vrarë mbi 13 mijë civilë e mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë akuzuan ose dënuan disa persona për krime lufte.