Gjithnjë e më shumë njerëz po përjetojnë ndjesi të pakëndshme në këmbë gjatë mbrëmjes, veçanërisht kur përpiqen të bien në gjumë. Quhet ‘Sindroma e këmbëve të paqeta’, një çrregullim neurologjik që shpesh nuk njihet dhe nuk kuptohet mirë, as nga pacientët dhe as nga profesionistët e kujdesit shëndetësor. Vlerësohet se çrregullimi prek nga 4 deri në 29 për qind të të rriturve në vendet perëndimore të industrializuara dhe po njihet gjithnjë e më shumë edhe tek fëmijët.
“Sindroma e këmbëve të paqeta (RLS- Restless Legs Syndrome), karakterizohet nga një nevojë urgjente për të lëvizur këmbët, shpesh e shoqëruar me ndjesi të pakëndshme”-shpjegon Dr.John Winkelman, drejtor i Programit të Kërkimit të Çrregullimeve të Gjumit në Spitalin e Përgjithshëm në Massachusetts dhe profesor i psikiatrisë në Harvard.
Simptomat e SKP-së ndodhin më shpesh kur personi është i palëvizshëm ndërsa është ulur ose shtrirë dhe përkeqësohen në mbrëmje dhe gjatë natës. Ndjesitë e pakëndshme që përshkruajnë pacientët përfshijnë djegie, shpim, pulsime ose ndjesi zvarritjeje nën lëkurë dhe vetëm lëvizja sjell lehtësim. Në raste më të rënda, simptomat shfaqen pothuajse çdo natë dhe mund të vonojnë ndjeshëm rënien në gjumë.
Tek disa persona, sindroma ka bazë gjenetike, ndërsa tek të tjerët lidhet me mungesë hekuri, veçanërisht te gratë shtatzëna, personat me anemi, gratë në moshë riprodhuese ose vegjetarianët. Ekziston gjithashtu një lidhje me përdorimin e disa ilaçeve, veçanërisht antidepresivët SSRI. Është interesante se edhe fëmijët mund të zhvillojnë simptoma. Terapia bazë fillon me ndryshimin e zakoneve të jetesës. Mjekët këshillojnë të shmangen alkooli, sheqernat e përpunuara dhe disa ilaçe që mund të përkeqësojnë simptomat.
Për personat me nivele të ulëta hekuri, rekomandohen shtesa ushqimore ose, në disa raste, terapi intravenoze me hekur. Ekspertët gjithashtu rekomandojnë përdorimin e kompresave të ngrohta ose të ftohta, masazh, shëtitje të shkurtra ose aktivitete mendore që shërbejnë si shpërqendrim dhe ndihmojnë në zvogëlimin e shqetësimit. Nëse ndryshimet në stilin e jetës nuk japin efekt, mjekët mund të përshkruajnë ilaçe nga grupi i ligandëve alfa2-delta (si gabapentina ose pregabalina). Në rastet më të rënda, përdoren doza të ulëta të opioideve me veprim të zgjatur, por këto duhen administruar me shumë kujdes.