Tech Top Tech - News

Ndodh dhe kjo, AI merr në punë krijuesin e tij! Gjithçka që duhet të dini për OpenClaw…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

E imagjinon dot një “AI që bën punë” dhe bëhet aq viral sa krijuesi i tij të merret direkt në punë nga OpenAI?

Krijuesi i OpenClaw, Peter Steinberger, sapo është bashkuar me OpenAI. Dhe jo, s’është “një punësim i zakonshëm” — kjo ndodh kur bën një projekt “sa për qejf” dhe të del CEO-ja i internetit të thotë: “hajde këtu”. 

Çfarë po ndodh?

OpenClaw u bë i famshëm sepse premtonte “AI që realisht bën gjëra”: menaxhon kalendarin, rezervon fluturime, organizon punë… pra nuk rri vetëm të të japë këshilla si shok që s’ka dalë kurrë nga shtëpia. Nuk është AI që ti i shkruan një prompt dhe merr një përgjigje, ai bën realisht punë.

Emri ka bërë tre ndryshime brenda pak javësh — fillimisht Clawdbot, pastaj Moltbot, dhe tani OpenClaw. Ndryshimi i parë erdhi pasi Anthropic thuhet se kërcënoi me veprime ligjore për ngjashmëri me “Claude”; i dyti sepse… Steinberger thjesht e pëlqeu më shumë emrin e ri. Kjo është energji Gen Z: “s’më pëlqen, e ndërroj”. 

Në postimin e tij, Steinberger thotë se mund ta kthente OpenClaw në kompani të madhe, por “s’i duket shumë interesante”; ai do “të ndryshojë botën” dhe mendon se rruga më e shpejtë është OpenAI. 

Ndërkohë, Sam Altman tha se Peter do të “drejtojë gjeneratën e ardhshme të agjentëve personalë”, dhe se OpenClaw do të jetojë në një foundation si projekt open-source që OpenAI do ta mbështesë. 

Ju sugjeroj shumë t’i hidhni një sy OpenClaw, thjesht për të kuptuar ku po shkon bota—se ky “agjent personal” s’është më shaka, është roadmap dhe AGI.