Aktualitet

Në 1992 u vendos në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, kush ishte Anastas Janullatos?!

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ringriti nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare.

Më 16 korrik 1991 Shkëlqesia e tij mbërriti për herë të parë në Shqipëri për të ringjallur besimin ortodoks pas 24 viteve errësirë ateiste, pasi regjimi komunist ndali praktikimin e fesë me ligj në vitet 1967-1991.

Në “Rinas”, u prit ngrohtësisht nga një grup besimtarësh ortodoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera. Nga ajo ditë Hirësia e tij vijoi veprimtarinë plot sfida e të panjohura. Për Shkëlqesinë e tij ardhja në Shqipëri ishte pjesa e tretë e tri periudhave të jetës

Në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptar, Anastas Janullatos u fronëzua më 2 gusht 1992, dhe ishte 63 vjeç duke i rezistuar si protestave të ndonjë grupi politiko-mysliman, ashtu dhe referendumit të vitit 1994 ku qeveria e atëhershme futi në projektligj një nen që i ndalonte udhëheqësit fetarë me nënshtetësi të huaj të ushtronin detyra fetare. Me 6 nëntor Referendumi u rrëzua me votë popullore.

Në vitin 2000, pas propozimit të Akademisë Athinës dhe shumë personalitete të Shqipërisë, ishte kandidat për Çmimin Nobel të Paqes.

Jeta e hershme

Anastas Janullatos lindi në 4 nëntor të vitit 1929 në Pire, Greqi. Ai u rrit me besim dhe gjatë viteve të formimit merrte pjesë në mënyrë aktive në Kishë. Në fillim atij i pëlqente matematika dhe gjatë viteve të adoleshencës ai dëshironte të vazhdonte studimet në këtë shkencë.

Idetë e tij ndryshuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore ku Janullatos braktisi dëshirat e tij për fushat e tjera të studimit dhe vendosi të ndiqte teologjinë.

Kaq drithëruese ishte kjo dëshirë sa që ai thonte: “Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin.“

Veprimtaria sociale

Ka qenë anëtar: i Këshillit të Shkollës së Lartë të Punonjësve Socialë (1977-84); i Komitetit të Lartë Zyrtar për Kishën e Greqisë (1977-85); i Komitetit të Edukimit Kishtar të Ministrisë së Edukimit Kombëtar dhe Feve (1977-1982); i Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Qipros (1985-91), i Komisionit të Bursave të Fondacionit “Aleksandër Onasis” (1978-94); i Fondacionit “Aleksandër Onasis” (1994-2005). Anëtar i Shoqërisë Filekpedheftiki (1994 e në vazhdim).

Veprimtaria ndërkishtare ndërkombëtare:

Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv për Misionarizmin Jashtë Vendit (1958-61) dhe Zëvendëspresident i Organizatës Ndërkombëtare të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos” (1964-1977); Themelues dhe President i Qendrës Ndërorthodhokse Misionare “Porefthendes” (nga viti 1963).

Ai ka qenë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Misionarizmin të Këshillit Botëror të Kishave (1963-1969), Sekretar për Kërkimin Misionar dhe Marrëdhëniet me Kishat Orthodhokse në KBK (Gjenevë 1969-1971).

Ka organizuar dhe drejtuar Qendrën për Studimet Misionare në Universitetin e Athinës (1971-1974) dhe Qendrën Ndër-Orthodhokse në Athinë të Kishës Orthodhokse të Greqisë (1971-1974). Si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, ai promovoi programe teologjike, edukuese dhe botuese; në veçanti, zhvilloi sektorin e misioneve jashtë vendit. Në Afrikën Lindore (Kenia, Uganda, Tanzani), organizoi dhe zhvilloi  misionet orthodhokse. Ai është vlerësuar si “Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës”.

Kryepeshkopi i Shqipërisë

Më 1991, caktohet nga Patriarku Ekumenik Eksark Patriarkal në Shqipëri. Në qershor 1992, Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.

Si Kryepeshkop i Shqipërisë (1992 deri më 25 janar 2025), në rrethana jashtëzakonisht të vështira, ringriti nga gërmadhat dhe zhvilloi më tej Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që mbi 2 dekada ishte e shpërbërë.

U riorganizuan më tepër se 400 famulli; u themelua Akademia Theologjikë “Ngjallja e Krishtit” në Durrës (1992) dhe dy Lice kishtarë; shkolloi dhe dorëzoi 159 klerikë.

Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme.  U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë. U ndërtuan 155 kisha të reja, u restauruan 63 të tjera dhe u riparuan më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe 75 qendra kishtare (Ndërtesat e Krypeshkopatës dhe të mitropolive, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritjeje, kampe rinore etj). Vepra totale ndërtuese arrin në afro 500 ndërtesa.

Bashkë me veprën e rivitalizimit të Kishës Orthodhokse, u realizuan edhe programe inovative në sektorët e shëndetit, kujdesit social, edukimit, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë. Njëkohësisht, ai u përpoq për të ndihmuar në zbutjen e shumë tensioneve në Ballkan.

Në 2010 u vlerësua me medaljen “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” të Republikës së Shqipërisë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bamir Topi

Ndërsa në vigjiljen e Krishlindjeve të 25 dhjetorit 2017, Një çerek shekulli pasi kishte ardhur në vendin tonë kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare Anastas Janullatos mori nënshtetësinë shqiptare. Dekreti u firmos nga presidenti i atëhershëm Ilir Meta.

Veprimtaria ndërkishtare

U zgjodh vazhdimisht në pozicione të shquara në udhëheqjen e organizmave ndërkombëtarë: Moderator i Komitetit për Misionin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-1991) dhe i Konferencës së Misionarizmit dhe Ungjillëzimit Botëror në San Antonio Teksas (1989); anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2003-2010); Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave Evropiane (2003-2009); President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013); President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (2006 e në vazhdim).

Vepra

Autor i 24 librave (kërkime për Fetë Afrikane, ese në Theologji dhe në Historinë e Misioneve, predikime etj.), ku përfshihen: Islami, një vështrim i përgjithshëm (16 botime), Historia e Feve- Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, Globalizmi dhe Orthodhoksia, Hierapostullim në gjurmët e Krishtit, Deri në skajet e dheut, Bashkekzistenca, Në Shqipëri – Kryq dhe Ngjallje. Ka botuar mbi 200 ese dhe artikuj me tema teologjike e baritore. Studimet dhe artikujt e tij janë përkthyer në 17 gjuhë të huaja.

Nderime

U nderua me 27 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme, si: “Kryqi i Madh i Urdhrit të Nderit i Republikës së Greqisë” (1997); çmimi “Athenagora për të Drejtat e Njeriut” (Nju Jork, 2011); çmimi për “Kontributin e shquar për unitetin e popujve orthodhoksë” (Moskë, 2005); dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Tiranë, 2010).

Kryepiskopi Anastas ishte njohës i thellë në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Kontributi i tij i rëndësishëm në Hierapostullimin e Krishterë,  në Teologji dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare është i njohur botërisht.