Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare.
Si një ndër hierarkët e rëndësishëm të Kishës Orthodhokse kishte miq nga e gjithë bota.
Në vitin 1991, Anastas u caktua nga Patriarku Ekumenik Eksark, Patriarkal në Shqipëri. Vizitën e parë në vendin tonë, Janullatos e zhvilloi më 16 korrik 1991. Në aeroportin e Rinasit dolën ta prisnin besimtarë orthodhoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera, por asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare.
U fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, rreth 33 vite më parë në moshën 63 vjeçare duke i rezistuar referendumit të vitit 1994 kur qeveria futi në projektligj një nen që i ndalonte drejtuesit e feve me nënshtetësi të huaj, të ushtronin detyra fetare.
Për Shkëlqesinë e tij ardhja në Shqipëri ishte pjesa e tretë e tri periudhave të jetës.
Përmes vështirësive të shumta, ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: u riorganizuan mbi 400 famulli; u themeluan Akademia Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës, dy Lice kishtarë; shkolloi dhe dorëzoi 159 klerikë. Themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë.
U ndërtuan 155 kisha të reja, u restauruan 63 të tjera dhe u riparuan më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe 75 qendra kishtare. Vepra totale ndërtuese arrin në afro 500 ndërtesa
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, e vendosur në qendër të Tiranës, kisha e tretë më e madhe ortodokse në Evropë është një ndër dhuratat e Hirësisë së tij për popullin shqiptar.
U hap zyrtarisht më 24 qershor 2012, për të festuar 20 vjetorin e ringjalljes së Kishës Ortodokse Shqiptare dhe zgjedhjen e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Hirësia e tij e lidhi Kishën e Shqipërisë me organizata ndërkombëtare kishtare dhe ishte anëtar themelues i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë dhe të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Gjatë tensioneve politike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontribuoi në zbutjen e tyre dhe në afrimin e dy vendeve. Nëpërmjet nismave dhe veprës së tij u është ofruar punë mijëra vetëve; u krijuan vepra serioze të strukturës sociale dhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë është bërë një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi.