Bota

Në Dhomën e Përfaqësuesve dështoi projektligji i mbështetur nga Trump!

Në SHBA, një projektligj mbi shpenzimet, i ofruar nga republikanët dhe i mbështetur nga Donald Trump dështoi gjatë një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky zhvillim e lë Kongresin pa plan të qartë për të shmangur mbylljen e qeverisë ndërsa afatet për financimin e saj skadojnë sot në mesnatë.

Në mbështjetje të draftit votuan 174 ligjvënës dhe 235 kundër, duke hedhur poshtë planin e hartuar me nxitim nga udhëheqësit republikanë, pasi presidenti i zgjedhur Trump e miliarderi Elon Musk prishën një marrëveshje të mëparshme dypartiake. Pavarësisht mbështetjes që dha Trump, 38 republikanë votuan kundër tij, përfshirë pothuajse të gjithë demokratët. Përjashtim bënë tre prej tyre.

Republikanët konservatorë thanë se “nuk parashikonte reduktim domethënës të shpenzimeve qeveritare”. Kreu i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries e quajti “qesharak” draftin ndërsa ai i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, tha:

Dështimi i projektligjit në Dhomën e Përfaqësuevse është një gjë e mirë. Tashmë ka ardhur koha për t’u rikthyer te marrëveshja dypartiake që arritëm.

Financimi i qeverisë përfundon në mesnatë. Nëse ligjvënësit nuk arrijnë ta zgjasin afatin, qeveria do të fillojë një mbyllje të pjesshme duke ndërprerë fondet për gjithçka, nga ato agjenci që merren me sigurinë në kufi, te parqet kombëtare, si dhe duke rrezikuar që mbi 2 milion punonjës federalë të mos paguhen.

Administrata e Sigurisë në Transport paralajmëroi se gjatë sezonit të ngarkuar të festave, udhëtarët mund të përballen me radhë të gjata në aeroporte. Projektligji i ofruar nga republikanët ishte i ngjashëm me versionin e mëparshëm që Musk dhe Trump e patën cilësuar “dhuratë e çuar dëm për demokratët”.

Sipas tij, financimi i qeverisë do të ishte zgjatur deri në mars, kohë kur Trump do të jetë në Shtëpinë e Bardhë dhe republikanët pritet të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. Trump e cilësoi “sukses” hartimin e planit të ri për të financuar qeverinë e që parashikonte edhe heqje të tavanit të borxhit.

Postimi i Trump-it në mediat sociale erdhi kur republikanët njoftuan se arritën marrëveshje pas bisedimesh të vështira me dyer të mbyllura. Republikanët deklaruan se sipas projekligjit, qeveria do të vazhdonte punë për tre muaj të tjerë, si dhe rritej ndihma në rast fatkeqësish natyrore për shtetet e goditura nga uragani e të tjera. Po ashtu do të lejonte qeverinë që të merrte më shumë hua, deri më 30 janar 2027.

Sukses në Uashington! Kryetari Mike Johnson dhe Dhoma e Përfaqësuesve kanë arritur në një marrëveshje shumë të mirë, shkruante Trump përpara rrëzimit të projekligjit në Kongres.

Përpara votimit, demokratët dhe republikanët akuzuan njeri-tjetrin se do të ishin përgjegjës nëse qeveria mbyllej. Mike Johnson iu tha gazetarëve se paketa do të shmangte problemin e do ta bënte më të lehtë për ligjvënësit që të shkurtonin shpenzimet në qindra miliarda dollarë kur Trump të marrë detyrën vitin e ardhshëm.

Qeveria është shumë e madhe, bën shumë gjëra dhe pak prej tyre i bën mirë.