Donald Trump e cilësoi “sukses” hartimin e një plani të ri për të financuar qeverinë amerikane dhe për të hequr tavanin e borxhit, një ditë përpara mbylljes së qeverisë, duke i kërkuar Kongresit që ta miratojë atë sa më shpejt.
Presidenti i zgjedhur reagoi pasi republikanët thanë se arritën marrëveshje pas bisedimesh të vështira me dyer të mbyllura. Republikanët bënë të ditur se plani i ri do ta mbajë qeverinë në punë edhe për tre muaj të tjerë, si dhe do të shtojë ndihmën në rast fatkeqësish natyrore për shtetet e goditura nga uragani e të tjera e po ashtu do të lejojë qeverinë të marrë më shumë hua, deri më 30 janar të vitit 2027.
Sukses në Uashington! Kryetari Mike Johnson dhe Dhoma e Përfaqësuesve kanë arritur në një marrëveshje shumë të mirë, shkroi Trump.
Por, fati i projektligjit nuk është shumë i qartë. Po kështu, nuk dihet nëse demokratët, votat e të cilëve duket se janë të nevojshme për një paketë ligjore përballë opozitës republikane të linjës së ashpër, ishin apo jo dakord apo nëse me ta u zhvilluan negociata.
Përballë rrezikut të mbylljes së qeverisë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka bërë përpjekje për të përmbushur kërkesat e papritura të Trump-it lidhur me ligjin e shpenzimeve, si dhe për të ruajtur pozitën e tij.
Agjencitë janë njoftuar të përgatiten për të ndalur operacionet përpara skadimit të afatit, mesnatën e së premtes.
Më herët, Donald Trump tha se Johnson “do të mbetej me lehtësi kryetar” Kongresin e ardhshëm, nëse ai “do të vepronte me vendosmëri dhe forcë” në hartimin e një plani të ri që po ashtu parashikonte edhe rritje të kufirit të borxhit.
Në rast se kjo nuk do të ndodhte, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara paralajmëroi se Johnson dhe republikanët në Kongresin Amerikan do të përballeshin me probleme.