Sport

Anglia me probleme në mbrojtje, Messi udhëheq sulmin e Argjentinës! Formacionet e mundshme…

Anglia dhe Argjentina do të përballen mbrëmjen e sotme (21:00) në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, në një duel që do të përcaktojë skuadrën e dytë finaliste të turneut, pas Spanjës.

Përpara sfidës, Thomas Tuchel dhe Lionel Scaloni kanë bërë zgjedhjet e tyre, me të dy trajnerët që pritet të hedhin në fushë formacionet më konkurruese.

Te Anglia, Jordan Pickford do të jetë në portë, ndërsa në mbrojtje pritet të rreshtohen O’Reilly, Marc Guehi, Ezri Konsa dhe Djed Spence. Mesfusha do të përbëhet nga Elliot Anderson dhe Declan Rice, ndërsa në repartin sulmues do të veprojnë Anthony Gordon, Jude Bellingham, Bukayo Saka dhe kapiteni Harry Kane. Tuchel nuk ka gati të dëmtuarit Liveramento dhe Henderson, ndërsa mbrojtësi Quansah është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq.

Nga ana tjetër, Argjentina pritet të mos bëjë shumë ndryshime nga ndeshja e fundit. Emiliano Martinez do të mbrojë portën, me Nahuel Molina, Cristian Romero, Lisandro Martinez dhe Nicolas Tagliafico në vijën e mbrojtjes. Në mesfushë pritet të aktivizohen Alexis Mac Allister, Leandro Paredes, Enzo Fernandez dhe Nicolas Gonzalez, ndërsa dyshja e sulmit do të përbëhet nga Julian Alvarez dhe Lionel Messi. Trajneri Scaloni nuk ka gati Balardin e dëmtuar.

LEXO EDHE: Messi sot për herë të parë kundër ‘Tre Luanëve’, statistikat flasin për Anglinë! Argjentina i kujton ‘Dorën e Zotit’

Formacionet e mundshme:

Anglia (4-2-3-1): Pickford; O’Reilly, Guehi, Konsa, Spence; Anderson, Rice; Gordon, Bellingham, Saka; Kane.

Argjentina (4-1-3-2): Martinez; Molina, Romero, Martinez, Tagliafico; Mac Allister, Paredes, Fernandez, Gonzalez; Alvarez, Messi.

Në gjithë historinë mes tyre, Anglia dhe Argjentina janë përballur 14 herë. Gjashtë janë fitore të Anglisë, tre të Argjentinës, ndërsa pesë sfida janë mbyllur në barazim. 24 gola ka shënuar Anglia në portën e Argjentinës, kundrejt 19 të pësuarve.

Pesë herë janë përballur më parë të dyja skuadrat në Kupat e Botës. Në vitin 1962 Anglia fitonte 3-1 në fazën e grupeve, por fitorja më e madhe e ‘Tre Luanëve’ ishte ajo e vitit 1966, 1-0 në gjysmëfinale, teksa më pas ngriti trofeun e vetëm.

Argjentina u përgjigj në Botërorin e vitit 1986 duke fituar 2-1 në gjysmëfinale me dy gola të Maradonës, njëri prej tyre i devijuar me dorë dhe i quajtur si ‘Dora e Zotit’. Në Botërorin që atë vit u zhvillua në Meksikë, Argjentina në fund doli triumfuese.

Në Kupën e Botës të vitit 1998 të dyja skuadrat u përballën në fazën e 1/8-ave, me Argjentinën që fitoi 6-5 me penallti. Në 2002 Anglia fitoi 0-1 kundër Argjentinës në fazën e grupeve.

Ndeshja e fundit mes tyre daton më 11 nëntor 2005 (afro 21 vite më parë), një miqësore që u fitua 3-2 nga Anglia. Lionel Messi ishte grumbulluar në atë duel, por nuk mori minuta. Ndeshja e sotme do të jetë e para për Lionel Messin që do të luajë kundër Anglisë.