Ish-kandidatja për deputete e PD, Ilirjana Kuçanaj pati një përplasje me kreun e partisë Sali Berisha, menjëherë sapo ky i fundit përfundoi se lexuari listat me kandidatët për zgjedhjet e brendshme në parti.
Kuçana iu drejtua Berishës duke i thënë se do bëjë përsëri sekretar të Përgjithshëm Flamur Nokën. Ajo shtoi se ka paraqitur dhe një rezolutë që nuk i është marrë parasysh ndërsa Berisha iu përgjigj se duhet të ndjekë statutin për paraqitjen e rezolutave.
Pjesë nga debati
Ilirjana Kuçanaj: Ka një kërkesë që e kam depozituar 24 orë para, ne jemi anëtarë të këshillit kombëtar, të lutem respektoje statutin mos e nis detyrën në shkelje të detyrës.
Kryetarja e Këshillit: Ka rend dite do zbatohet rendi i ditës.
Sali Berisha: Lërmë të flas, paraqitja e rezolutave ka rregullin e vetë, do kesh të drejtë ta paraqesësh sa herë të duash por sipas rregullit. Nuk mund ta shkruajmë statutin ne këtu.
Ilirjana Kuçanaj: Statutin e ke shkelur që në momentin që kemi shtuar 37 emra…. Të rikandidojmë Flamur Nokën Sekretar të përgjithshëm.
Berisha: Ilirjana, edhe një herë, një minutë, mor zotëri. Të lutem, a mund të të kthej përgjigje apo jo? Ke komunikuar me mua sot. Të kam kthyer përgjigje dhe të kam thënë: ndiq statutin.
Pas këtij debati, PD ndërpreu sinjalin për median gjatë mbledhjes së këshillit Kombëtar.
Partia Demokratike ka mbledhur pasditen e sotme Këshillin Kombëtar, ku në rend dite është zgjedhja e ekipit në ndihmë të kryetarit.
Dy muaj pas rizgjedhjes pa garë të Sali Berishës, synohet të vijojë e njëjta gjë edhe me kupolën drejtuese.
Në votimet e Këshillit Kombëtar, pritet të mos ketë ndryshime për numrin 2 të partisë, Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, rivali i të cilit pritet të jetë deputeti Saimir Korreshi. Duke mos pasur mundësinë e fushatës, kjo e bën të pamundur që anëtarët e Këshillit Kombëtar të votojnë për një figurë tjetër, veç asaj të Nokës. Vetë Korreshi tha se vendimin për tu përfshirë në garë e kishte marrë mesditën e sotme.
Rikonfirmim pritet të ketë edhe për kreun e grupit parlamentar, Gazment Bardhin dhe nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkajn. Nënkryetarët e Sekretariatet do të pësojnë ndryshime të vogla.