Aktualitet Sociale

Në fshat e gëzojnë pensionin së paku 7.3 vite më shumë se në qytet!

Pensionistët në zonat rurale e gëzojnë pensionin së paku 7.3 vite më shumë se ata që jetojnë në qytet tregojnë të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në nivel kombëtar, koha mesatare e gëzimit të pensionit arriti 22.4 vite në vitin 2024 me një rënie të lehtë me 4 muaj në krahasim më 2023-shin.

Koha e gëzimit të pensionit mbeti e pandryshuar në 10 vitet e fundit, pasi edhe më 2015-ën ishte 22.3 vite.

Por, duke analizuar ndarjen fshat-qytet, shihet së në zonat rurale pensionistët e gëzojnë pensionin shumë më gjatë se në qytete. Vitin e kaluar, koha mesatare e gëzimit të pensionit në fshat ishte 28.2 vite, ndërsa në qytet 20.9 vite. Të dhënat e katër viteve të fundit tregojnë se për qytetin, koha e gëzimit të pensionit po vjen duke u ulur. Atyre në fshat po iu rritet.

Në zonat urbane, koha e përfitimit të pensionit ka mbetur pothuajse e pandryshuar gjatë katër viteve të fundit, duke u luhatur lehtësisht nga 20.9 vite nga 2021-shi më 2025-ën. Jeta në qytete po ndikohet nga faktorë të tillë si nivelet më të larta të stresit, ritmi më i lartë i jetës, cilësi e dobët ajrit dhe jetës sedentare.

Ndërkohë, në zonat rurale vërehet një rritje më e fortë dhe e qëndrueshme. Në vitin 2021, koha e përfitimit të pensionit në këto zona ishte 26.5 vite dhe në vitin 2024 ka arritur në 28.4 vite. Kjo rritje mund lidhet edhe me stilin e jetesës më të qetë në zonat rurale, me më pak ndotje, lidhje më e fortë me natyrën dhe jetë më aktive për të moshuarit, duke ndikuar pozitivisht në jetëgjatësi.

Arsyet pse koha e gëzimit të pensionit në zonat rurale është dukshëm më e gjatë se në zonat urbane lidhen edhe me faktin se shumë banorë të zonave rurale, veçanërisht ata që kanë punuar në bujqësi, dalin në pension në një moshë më të re krahasuar me punonjësit në sektorin urban e shtetëror.

Po nga ana tjetër jeta në fshat përfshin më shumë aktivitet fizik, punë në tokë, ecje, kontakt me natyrën, më pak ndotje ajri dhe zhurmë, si dhe një regjim ushqimor më të natyrshëm e tradicional. Këta faktorë kontribuojnë në një jetë më të gjatë dhe shpesh më të shëndetshme pas daljes në pension. Gjithashtu ritmi i jetës në zonat rurale është më i qetë dhe lidhjet familjare dhe komunitare janë më të ngushta.

Në vitin 2023, shqiptarët kanë jetuar më gjatë se asnjëherë tjetër, në 79.6 vjeç, pas një ndikimi afatshkurtër që pati pandemia, kur pritjet për jetëgjatësinë u shkurtuan me rreth dy vite për shkak të efektit që dha COVID-i në shëndetin e popullatës.

Të dhënat historike të Kombeve të Bashkuara bëjnë të ditur se gjatë viteve të tranzicionit, ndonëse jetëgjatësia është rritur gradualisht nuk është shënuar ndonjë ndryshim i dukshëm. Që nga viti 1990, jetëgjatësia e pritshme në lindje është rritur me 6.3 vjet. Në fillim të tranzicionit, mesatarisht një banor në Shqipëri pritej që të jetonte 72.7 vjeç.

Ndryshimi më i madh është bërë gjatë viteve 1960-1990. Në Shqipëri, sipas Kombeve të Bashkuara, në vitin 1950, kur raportohet e dhëna më e hershme, pritshmëria për të jetuar ishte vetëm 44.5 vjeç./Monitor