Aktualitet Sociale

52% e pensionistëve nuk morën pension të plotë vitin e kaluar!

Në totalin e pensioneve të pleqërisë, më shumë se gjysma e tyre, rreth 52% morën pagesa të pjesshme vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare më 2024-ën. Kjo përqindje u zgjerua me tej nga niveli 49.7% në vitin 2023. Rritja e personave me pagesa të pjesshme tregon se gjithnjë e më shumë ata që dalin në pension aktualisht nuk përmbushin kriteret për shkak të emigrimit, informalitetit apo ndërprerjes së periudhave të sigurimit.

Të dhënat tregojnë se numri total i pensioneve të pleqërisë arriti në 607,567 në vitin 2024, me rritje vjetore 2.9%, ndërsa numri i pensioneve të pjesshme arriti në 316,781 mijë me zgjerim 7.8% në krahasim me vitin 2023. Për herë të parë, vitin e kaluar më shumë se gjysma e pensionistëve marrin pension të pjesshëm.

Shumë prej përfituesve nuk po arrijnë të plotësojnë periudhën minimale të sigurimit të kërkuar për pension të plotë. Reforma, për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri më 2032-shin dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç më 2032-shin dhe për të arritur 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.

Vitin e kaluar duheshin më shumë se 38 vite me sigurime për të përfituar pension të plotë, por të dhënat zyrtare tregojnë se më 2024-ën, vitet mesatare të sigurimit për pensionet e reja ishin 26.7, shumë më poshtë kriterit për pension të plotë.

Punësimi informal, ku punonjësit nuk regjistrohen ose nuk paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, ndikon drejtpërdrejt në uljen e periudhave të sigurimit të mbledhura nga individët, duke bërë që më shumë persona të marrin pension të pjesshëm. Të dhënat zyrtare sugjerojnë se ende gati një e treta e punonjësve në Shqipëri punojnë në informalitet. Kjo shifër është më e lartë sipas Organizatës Ndërkombëtare të punës (ILO).

Migrimi i përkohshëm apo i përhershëm i punëtorëve, sidomos i të rinjve, shkakton ndërprerje në kontributet e sigurimeve shoqërore. Kur ata të kthehen ose kërkojnë pensionin kanë periudha të paplota sigurimi dhe marrin pension të pjesshëm.

Rritja e pensioneve të pjesshme ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe shpesh sfidues në cilësinë e jetës së pensionistëve. Pensionet e pjesshme janë më të ulëta se ato të plota, prandaj pensionistët përfitojnë një shumë më të vogël mujore, duke ulur aftësinë e tyre për të përmbushur nevojat bazë si ushqimi, strehimi, shëndetësia dhe shpenzimet e tjera të përditshme.

Për shkak të të ardhurave të ulëta nga pensioni, shumë pensionistë të cilët marrin pension të pjesshëm përballen me rrezikun e varfërisë ose gjendjes sociale të rënduar, veçanërisht ata që nuk kanë ndihmë familjare ose burime të tjera të financimit./Monitor