Aktualitet Sociale

Pensionet me Italinë, sot hyn në fuqi marrëveshja/Përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë!

Nga sot hyri në fuqi marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës mes Shqipërisë dhe Italisë çka sjell lehtësira për mijëra qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet. Individët që plotësojnë kriteret për përfitim pensioni mund të aplikojnë pranë zyrave të sigurimeve shoqërore në të dy shtetet fqinje ose online në portalin zyrtar e-Albania.

Më herët, Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri ka bërë të ditur se janë marrë masa për të përballuar një numër të madh aplikimesh, që sipas parashikimeve, pritet të kalojnë mbi 500 në ditë. Një nga risitë më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është bashkimi i viteve të punës.

Pra, për të gjithë ata që nuk i plotësojnë individualisht kushtet minimale për pensionim në njërin nga vendet, 20 vite në Itali dhe 15 vite në Shqipëri, ekziston tani mundësia që vitet e kontributeve të mbledhura në të dy vendet të merren në konsideratë si një total i vetëm. Kjo do të thotë se edhe ata që deri më sot nuk kishin të drejtë për pension për shkak të viteve të pamjaftueshme, tashmë mund të përfitojnë.

Sipas autoriteteve italiane, kostoja për mbulimin e pensioneve për shqiptarët që do të përfitojnë në Itali gjatë vitit 2025 llogaritet rreth 51.6 milion euro, ndërsa deri në vitin 2032, kjo shifër pritet të shkojë deri në 270 milion euro.

Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, që kanë jetuar dhe punuar në të dy vendet ndër vite.