Rajoni

Në Hajvali të Kosovës gjenden mbetje mortore/Dyshohet të personave të zhdukur në luftë!

Në varrezat e fshatit Hajvali të Prishtinës janë gjetur eshtra njerëzish, që dyshohet të jenë të të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Policia e Kosovës bëri të ditur se njësite të saj, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë kryer gërmime pas urdhrit të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ka raportime se mbetjet mortore janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për ekzaminime e punimet do të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Gjatë luftës së viteve 1998-1999, në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë njerëz e mbi 1 mijë e 500 vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Shumica e të vrarëve ishin civilë shqiptarë. Kosova dhe Serbia patën arritur pajtueshmëri në vitin 2023 në lidhje me Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Mes zotimeve ishin:

Aksesi i plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.

Por, gjithçka vazhdon të mbetet në letër, pasi rezulton se në praktikë asnjëra prej këtyre pikave nuk është vënë në zbatim.