Rajoni

Të zhdukurit e luftës, nesër takimi Kosovë-Serbi në Bruksel!

Nesër në Bruksel mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në nivel zëvendësash. Delegacioni i Kosovës do të përfaqësohet nga Halil Cenaj, siç njoftoi kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti. Sipas tij, kërkesat e Kosovës, kryesisht lidhen me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat.

Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë.

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Mbi nevojën e përparimit në dialog, Lajçak shkroi se ka diskutuar me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara.

Misioni im i parë i vitit më çoi në Shtetet e Bashkuara. Në Uashington D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmës sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien e zv.ndihmës sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të ecur para në Dialogun e Normalizimit.

Lajçak shkroi se informoi edhe zëvendës sekretarin e Shtetit, Richard Verma, përpara vizitës së këtij të fundit në rajon. Për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë, Kosova dhe Serbia u pajtuan në dhjetor të vitit të kaluar. Dakordimi për themelimin e Komisionit u bë gjatë takimit trepalësh ndërmjet kryenegociatorëve, me të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel.