Aktualitet

Në mesditë hapet aksi Librazhd-Prrenjas/Rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet!

Pas disa ditësh bllokimi të qarkullimit në aksin Librazhd-Prrenjas, sot në mesditë rikthehet lëvizja e automjeteve përmes një devijimi provizor të ndërtuar pranë segmentit ekzistues. Lajmi është konfirmuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, që bëri të ditur se gjatë gjithë këtyre ditëve është punuar intensivisht me mjete të rënda për hapjen e rrugës alternative.

Sipas njoftimit zyrtar, segmenti do të jetë i aksesueshëm për të gjitha mjetet, përfshirë ato me tonazh të rëndë, duke respektuar kufirin maksimal prej 8.2 tonësh për aks. Qarkullimi do të realizohet përmes një devijimi provizor, i ndërtuar ngjitur me pozicionin e mëparshëm të rrugës, deri në përfundimin e plotë të rrugës alternative të projektuar në shtratin e lumit Shkumbin e të integruar me trupin e hekurudhës.

Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht do të jetë i paasfaltuar, deri në stabilizimin e shtresave mbajtëse. Më pas do të kryhet asfaltimi përfundimtar.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës e banorëve të zonës, të tregojnë mirëkuptim, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, me qëllim garantimin e një qarkullimi të sigurt për të gjithë.