Mëngjesin e kësaj të mërkure ka nisur demontimi i urës te “Arrat e Gurrës”, e cila pësoi rrëshqitje dhe u dëmtua, duke bllokuar rrugën Librazhd-Përrenjas.
Pas vendimit të Këshillit teknik mbi zgjidhjen që do ti jepet Korridorit të VIII në segmentin e dëmtuar nga erozioni në Dragostunjë, ARRSH ka nisur të demontojë urën ndërkohë që do ndërtojë një rrugë alternative por nuk ka një afat se sa do zgjasë ndërtimi i saj.
Struktura u bë e rrezikshme për qarkullimin, pasi zhvendosja e rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e bënë të pamundur çdo riparim.
Procesi po kryhet me mjete të rënda dhe masa të rrepta sigurie, ndërkohë që terreni vijon të jetë i paqëndrueshëm. Shembja e urës ka shkaktuar devijime trafiku dhe izolim të përkohshëm të disa komuniteteve.
Autoritetet po planifikojnë ndërtimin e një ure të re, më të qëndrueshme dhe të përshtatur me kushtet gjeologjike, ndërsa banorët kërkojnë transparencë mbi afatet dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli, përmes një konference për mediat tha se shkaqet kryesore të dëmtimit të urës te “Arrat e Gurrës” kanë qenë reshjet intensive të shiut, si dhe erozioni lumor dhe saturimi i tokës.