Në Shqipëri për UÇK-në, nisin kalimet përmes Morinës dhe në Rrugën e Kombit. Heqja e kontrolleve në kufi ka lehtësuar lëvizjen e qytetarëve nga Kosova. Po ashtu, njerëz të shumtë nga Kukësi janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës në mbështetje të UÇK-së.
Sot në Tiranë mbahet protesta gjithëkombëtare “Unë jam UÇK”, për të denoncuar procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së. E parashikuar për në orën 17:00, protesta e madhe e iniciuar nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së vjen në vijim të atyre të mbajtura në gusht në Prishtinë e në shtator para Dhomave të Specializuara, në Hagë.
Një ditë më parë, Organizata e Veteranëve të Luftës me një postim në rrjetin spocial Facebook deklaroi se kjo protestë është zëri i popullit shqiptar dhe i asnjë partie politike.
Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i të gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po bëhet ndaj udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.
Në protestë do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Në mbështetje do të ketë rektorë universitetesh, tifozë “Kuq e Zi”, si dhe shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i hedhin poshtë.