Rajoni

PD braktis protestën pro UÇK/ Argumenti i partisë opozitare: Do të jetë dhe Rama

Sali Berisha  deklaroi të mërkurën se partia dhe njerëzit e tij nuk do ti bashkohen protestës kombëtare të premten, në mbështetje të Hashim Thaçit dhe krerëve të UÇK, të cilët mbahen prej 5 vjetësh në dhomat speciale të Hagës.

Socialistët deklaruan se do ti bashkohen protestës pro lirimit të Hashim Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të mbahet të premten e 17 tetorit, në Sheshin Skënderbej.

Taulant Balla, rikofimoi pjesëmarrjen edhe pas mbështetjes publike të vetë kryeministrit Edi Rama.

“Deputëtët e PS do të jenë.  ne shqiptarëve na karakterizon atdhedashuria dhe solidariteti dhe të jemi të gjithë së bashku të premten në sheshin Skënderbej për të dërguar një mesazh solidariteti ndaj 4 komandantëve të UÇK, por edhe të gjithë gjakut të UÇK të rënë në betejë. Kjo nuk është partiake, por kush e ka zemrën në vendin e duhur dhe kujt i dhemb sadopak për kombin, duhet të jetë të premten. Shpresoj që edhe deputetët e PD të na bashkohen”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

Përgjigjja nuk vonoi dhe ishte negative. Preteksti, prania e Edi Ramës, në proteste.

“Ne e konsiderojmë luftën e UÇK, një luftë çlirimtare të një populli të pushtuar. Është luftë e shenjtë. I konsiderojmë të pafajshëm krerët e UÇK, shpresojmë dhe lutemi për pafajësinë e tyre. Por ne nuk mund të jemi bashkë me kreun e Narkos që i ka futur thika pas shpine Kosovës sa herë që i është dhënë mundësia. Me atë që Kosovës i vendosi sanksione kur asnjë vend tjetër nuk e sanksiononte”, nënvizon PD.

“Edhe njëherë, dhe shumë herë, duhet të urojmë Kosovën për zgjedhjet model që ka zhvilluar. Ndaj dhe në vlerësimin që bënte një institut shumë prestigjioz, qeverisja e Kosovës dilte 3 herë më afër qeverisjes demokratike evropiane se sa Shqipëria”, ka thënë Berisha.