Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, e cila zhvillohet në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
Kryeministri britanik Starmer u mirëprit në një ceremoni zyrtare, e cila vijoi me takimin kokë më kokë mes dy homologëve e më pas mes delegacioneve përkatëse.
Në kuadër të kësaj vizite dhe forcimit të bashkëpunimit mes vendeve u nënshkrua “Deklarata e Përbashkët Mbretëri e Bashkuar–Shqipëri për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta” nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme te Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Robert John Abbott.
U nënshkrua gjithashtu “Deklarata e qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial” – nga Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Robert John Abbott.
Gjatë pasdites, kryeminsitri Rama parashikohet të presë në një takim presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, me të cilin po ashtu do të flasin para mediave. Mbrëmjen e së enjtes, do të zhvillohet edhe një darkë informale mes krerëve të BE, kreut të NATO-s, Mark Rutte si dhe drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të premten e 16 majit, Rama do të nisë ditën me disa takime që do i paraprijnë samitit të Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron do të qëndrojë edhe një ditë më pas për Samitin Ndërkombëtar për të ardhmen e Evropës. Në vizitën që do mbajë në Tiranë, Macron do të shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij, Brigitte, ku do të inaugurojnë shkollën teknologjike ‘Ecole 42’.