Bota

Netanyahu mesazh të ri: ‘Do godasim çdo objektiv të Ajatollahut’! Këshilli i Sigurisë izraelite do mblidhet në bunker!

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një mesazh video se do vijojë të godasë çdo objektiv të Ajatollahut në Iran.

“Më të ardhmen e afërt do të shihni aeroplanë të Forcave Ajrore Izraelite duke fluturuar mbi Teheran. Ne do të godasim çdo vend dhe çdo objektiv të regjimit të ajatollahëve. Qëllimi ynë është t’i kundërvihemi kërcënimit të dyfishtë iranian: si bërthamor ashtu edhe balistik. Ne ishim në minutën e 90-të dhe kishte një garë nga ekipet bërthamore iraniane për të krijuar bomba bërthamore, bomba atomike, për të shkatërruar Izraelin”, u shpreh ai në mesazhin e tij, duke këmbëngulur se Teherani po përgatiste bombën bërthamore.
Po ashtu mësohet se Kabineti i Sigurisë së qeverisë izraelite do të mblidhet në një bunker nëntokësor sonte në orën 22:00 sipas kohës izraelite, mes sulmeve të vazhdueshme ndaj Iranit, raporton “The Times of Israel”.

Për zhvillimet e fundit dhe negociatat ka folur edhe kreu i mbrojtjes së SHBA-ve.

Irani mund të kthehet në tryezën e negociatave me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor dhe të zgjedhë paqen, tha për Fox News, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth .

“Presidenti Trump vazhdon t’i thotë Iranit se mund të zgjedhë paqen, se mund të kthehet në tryezën e bisedimeve”, theksoi Hegseth, “tani iranianët po vendosin dhe shpresoj që të marrin vendimin e duhur”.

Ushtria izraelite tha se deri më tani kishte sulmuar më shumë se 400 objektiva në Iran dhe kishte në shënjestër objektet bërthamore në Natanz dhe Isfahan, ku u shkatërrua një objekt i uraniumit të pasuruar; megjithatë, Izraeli sqaroi se nuk e goditi objektin Fordov. Teherani zyrtar mohon që këto sulme të kenë dëmtuar infrastrukturën bërthamore.

Në mes të luftimeve të reja, ushtria izraelite ka shpallur Gazën front dytësor në luftë dhe se fokusi kryesor i ushtrisë tani është zhvendosur në Iran. Ushtria tha se operacioni i forcave ajrore ka krijuar një rrugë të sigurt për në Teheran dhe se avionët luftarakë tani mund të operojnë lirisht në hapësirën e saj ajrore. Ushtria iraniane është e gatshme të lëshojë rreth 2.000 raketa drejt Izraelit në sulmet e ardhshme, 20 herë më të fuqishme se ato të mëparshmet.