Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë shqetësimet në lidhje me një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme.
Dëgjoj që njerëzit thonë se do të kemi një luftë të pafundme këtu. Nuk do të keni një luftë të pafundme, tha Netanyahu për Fox News. Ky do të jetë një aksion i shpejtë dhe vendimtar e ne do t’i krijojmë kushtet që populli iranian të marrë kontrollin e fatit të tij, për të formuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.
Ndërsa Irani përballet me pasojat e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, që kanë vrarë disa e ndoshta edhe dhjetëra udhëheqës të lartë, Ali Larijani shfaqet si figurë kryesore në pushtetin e mbetur të vendit.
Politikan veteran, me një karrierë që përfshin pothuajse gjithë historinë e Republikës Islamike, Larijani u rikthye vitin e kaluar, pas një pushimi relativ e që atëherë ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Rikthimi politik
Një moment vendimtar për fatin e Larijanit ishte lufta 12-ditore e Iranit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, në qershor të vitit të kaluar. Më 2024-ën, 67-vjeçarit i ishte ndaluar të kandidonte për president për herë të dytë në tre vjet.
Por në gusht, pas konfliktit, u emërua në postin e rëndësishëm të sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, organit kryesor për hartimin e politikave në Republikën Islamike.
Disa zhvillime të rëndësishme ndodhën gjatë luftës 12-ditore. Një çështje e madhe, siç u theksua nga zyrtarët në media, ishte llogaritja e gabuar e aftësive mbrojtëse të Iranit, tha analisti politik iranian në Londër, Babak Dorbeigi, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë në atë kohë.
Megjithatë, çështja më kritike, ajo që kishte përparësi mbi të gjitha të tjerat ishte të kuptuarit se në kohë lufte, nuk mund të mbështetesh tek udhëheqësi suprem [Ajatollah Ali Khamenei], u shpreh Dorbeigi.
Khamenei mbeti i vrarë më 28 shkurt, ndërsa mbrojtja ajrore e Iranit shfaqet e mbingarkuar. Larijani është bërë një nga zërat më të fuqishëm zyrtarë në Iran.
Deri më tani, është zë sfidues dhe dje tha se Irani “nuk do të negociojë”. Këtë deklaratë e pasoi me postime agresive në X, duke përfshirë mesazhe që mesa dukej, vinin në lojë presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
Trump e tradhtoi politikën “Amerika e para”, për të miratuar politikën “Izraeli i pari’”, shkroi në një postim në anglisht me shkronja të mëdha.