Bota

Vance: Sulmet nisën se Irani nuk e kaloi testin e besueshmërisë!

Zv.presidenti amerikan, JD Vance, tha se negociatat me Iranin për programin e tij bërthamor dështuan, pasi zyrtarët konstatuan se garancitë e ofruara nga Teherani, “nuk e kalojnë testin e besueshmërisë”.

Për këtë arsye, presidenti Donald Trump autorizoi Operacionin Tërbimi Epik në Iran, i cili nisi më 28 shkurt.

Duke folur për Fox News, Vance u shpreh se përfaqësuesit amerikanë, mes tyre edhe Steve Witkoff, Marco Rubio e Jared Kushner, zhvilluan bisedime “të kujdesshme” në Gjenevë të Zvicrës. Kjo me synimin për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Bisedimet u ndërprenë për shkak të pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit.

Asnjë nuk kundërshton që iranianët të prodhojnë izotope mjekësore, por problem janë objektivat e pasurimit që shërbejnë vetëm për krijimin e armëve bërthamore.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë shtoi se Uashingtoni zyrtar do të preferonte “një regjim miqësor në Iran, një vend të qëndrueshëm dhe një vend që është i gatshëm të punojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndërkaq, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Centcom deklaroi se gjatë operacioneve të vazhdueshme në Iran, forcat amerikane kanë shkatërruar objektet e komandës e të kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), kapacitetet e mbrojtjes ajrore iraniane, vendet e lëshimit të raketave e dronëve, si dhe aeroportet ushtarake.

Ne do të vazhdojmë që të ndërmarrim veprime kundër kërcënimeve të menjëhershme që vijnë nga regjimi iranian, bëri të ditur Centcom.

E ndërsa Irani përballet me sulme, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) raportoi se një tërmet me magnitudë 4.3 Rihter, goditi zonën e Gerashit në jug të Republikës Islamike.

Lëkundja u regjistrua në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Autoritetet iraniane nuk kanë raportuar për të lënduar apo dëme materiale.