Aktualitet Politikë

Nga interpelancat te Kodi Rrugor dhe energjia, ja çfarë pritet sot në Kuvend!

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të enjte në orën 10:00, në seancë plenare, ku pritet të shqyrtojë një rend dite të ngjeshur, me fokus 3 interpelanca, një seancë pyetje-përgjigjesh dhe një sërë projektligjesh me rëndësi.

Seanca nis me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 11 qershorit dhe njoftimeve të zakonshme, ndërsa më pas pritet të kalojë në një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës: informimin mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit.

Vëmendja kryesore pritet të përqendrohet te kontrolli parlamentar, ku janë parashikuar tre interpelanca dhe një seancë pyetje–përgjigje me ministra të qeverisë. Një interpelancë urgjente do të zhvillohet me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, deputeti Erion Braçe ka kërkuar interpelancë me zv.kryeministren Albana Koçiu, ndërsa deputetja Ina Zhupa do të kërkojë sqarime nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Në vijim, mjinistrja e Shëndetësisë do t’i përgjigjet edhe pyetjeve të deputetit Erald Kapri në një seancë të posaçme pyetje-përgjigje.

Pas pjesës së kontrollit parlamentar, Kuvendi kalon në shqyrtimin e një pakete të gjerë projektligjesh, ku përfshihen projektligji “Për dhënie amnistie”, si dhe disa ndryshime në “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, që pritet të sjellin debat mes palëve politike.

Në rend dite janë gjithashtu projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, ligji për informacionin elektronik të transportit të mallrave dhe ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore.

Në pjesën e fundit të seancës pritet shqyrtimi i një sërë projektvendimesh me karakter organizativ dhe afatgjatë, përfshirë Planin Strategjik të Kuvendit 2026–2030 dhe ngritjen e disa nënkomisioneve parlamentare në fusha si auditimi publik, administrata shtetërore, zhvillimi i qëndrueshëm, bujqësia dhe integriteti i informacionit publik, përfshirë edhe luftën ndaj dezinformimit.