Duke nisur nga sot, në Shqipëri ka hyrë në zbatim sistemi bonus-malus për sigurimin e detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta. Ky mekanizëm i ri ndryshon mënyrën e përllogaritjes së primit të sigurimit, duke rritur ndjeshëm koston për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme dhe duke ofruar ulje më të vogla për ata që nuk kanë pasur aksidente.
Sipas ekspertëve të tregut, ndikimi kryesor i bonus-malusit do të ndihet te drejtuesit me histori dëmesh, të cilët do të përballen me prime dukshëm më të larta sigurimi. Ndërkohë, drejtuesit pa dëme do të përfitojnë ulje modeste, që nuk pritet të sjellin diferenca të mëdha krahasuar me çmimet aktuale.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi që në vitin 2024 rregulloren për përcaktimin e faktorëve të riskut në përllogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit. Rregullorja hyri në fuqi në janar 2025, por zbatimi i parimit bonus-malus u shty për në vitin 2026.
Në përllogaritjen e primit, kompanitë e sigurimit marrin në konsideratë disa faktorë risku, përfshirë historikun e dëmeve, edhe në rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policë, fuqinë motorike të mjetit, moshën dhe eksperiencën e drejtuesit, përdorimin e mjetit nga individ apo subjekt, qarkun e regjistrimit si dhe vjetërsinë e automjetit.
Aplikimi i sistemit bonus-malus parashikohet në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, i cili ka hyrë në fuqi që në vitin 2021. Megjithatë, ligji e konsideron këtë sistem si një të drejtë të kompanive të sigurimit dhe jo si detyrim, çka ka vonuar zbatimin e tij në praktikë.