Rajoni

Ngërçi me Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti thërret në takim drejtuesit e partive parlamentare!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njoftoi se ka thirrur të gjithë liderët e partive parlamentare në një takim për të gjetur marrëveshje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryeministri në detyrë, u shpreh se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson “qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”. Po ashtu, konfirmoi edhe se takimin e ka thirrur për nesër në orën 16:00.

Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit.

Vetëvendosja hedh poshtë interpretimet se sipas Gjykatës Kushtetuese, kryesuesi i seancës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, shkeli Kushtetutën duke propozuar votim të fshehtë për kryeparlamentarit. Deputeti Glauk Konjufca tha se Kushtetuesja “nuk ka gjetur asnjë shkelje” në votimin e fshehtë.

Ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, janë lexues të dobët” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ata ose nuk e kanë lexuar vetë ose e interpretojnë gabimisht, ose interpretojnë me interpretime të të tjerëve.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani po ashtu komenton votimin e fshehtë, pikën që ka shkaktuar ngërçin.

Asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për konstituimin e Kuvendit. Gjykata e ka thënë këtë, theksoi Hasani.

Ndërkaq, Konjufca vuri në dukje se nga këndvështrimi i leximit të vendimit të Kushtetueses nga Vetëvendosje, detyrimi për ta përfunduar konstituimin e Kuvendit është i të gjithëve dhe jo vetëm i partisë fituese.

E kemi LDK-në, me qëndrimin më radikal, e cila nuk merr fare pjesë në asnjë votim, as për kryetarin as për komisionin për votim të fshehtë. I kemi edhe partitë e tjera që i kanë dhënë propozimet e tyre.