Rajoni

Ngërçi për Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje: Haxhiu mbetet kandidatja jonë për kryetare!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, thekson se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave dhe kundërshtimeve.

Kuvendit kemi dashur t’ia japim një kryetare grua. Ky është propozimi ynë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kundërshtimet ndaj kandidaturës së Haxhiut janë më shumë taktika sesa ndonjë arsye konkrete.

Murati iu bëri thirrje partive të tjera parlamentare të “reflektojnë”.

Edhe sot, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen e gjashtë. Kjo pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme. Haxhiu u mbështet nga 57 kartona, katër më pak se minimumi prej 61-shit të domosdoshëm për t’u zgjedhur.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, hodhi akuza se Lëvizja Vetëvendosje, me qëllim nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit, se sipas tij, nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit. Ai vuri në dukje se kjo po bëhet pasi LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re.

Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh, të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër. Ta ndërrojnë deputetin, u shpreh Krasniqi.

Kjo vërtetë tashmë është komplet e pakuptimtë, e turpshme, që për teket e një personi, një kandidati, të mbahet peng shteti.

Më herët, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, propozoi sërish Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares së Kuvendit të Kosovës. Ai iu kërkoi votën edhe partive të tjera, duke vënë theksin te përpjekja për të zhbllokuar konstituimin e parlamentit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, u shpreh se nuk ishte optimiste që sot do të votohej Albulena Haxhiu si kryeparlamentarja e re e Kosovës, edhe pse shpresonte që kjo të ndodhte.