Edhe sot, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen e gjashtë. Kjo pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme. Haxhiu u mbështet nga 57 kartona, katër më pak se minimumi prej 61-shit të nevojshëm për t’u zgjedhur. Kështu që nuk u votua për kryetare në katër seanca radhazi pasi në dy të parat ende nuk kishte një emër.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, hodhi akuza se Lëvizja Vetëvendosje, me qëllim nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit, se sipas tij, nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit.
Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh. Të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër. Ta ndërrojnë deputetin, u shpreh Krasniqi.
Ai vuri në dukje se kjo po bëhet pasi LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re.
Kjo vërtetë tashmë është komplet e pakuptimtë, e turpshme, që për teket e një personi, një kandidati, të mbahet peng shteti.
Krasniqi shtoi se nëse Kuvendi nuk konstituohet, zgjidhja do të jetë që të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme muajin e ardhshëm.
Krasniqi shtoi se përveç Haxhiut, ka edhe emra të tjera nga LVV-ja që PDK-ja nuk do i votonte për postin e kryeparlamentarit, por nuk pranoi të emëronte ata.
Më herët, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, propozoi sërish Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares së Kuvendit të Kosovës. Ai iu kërkoi votën edhe partive të tjera, duke vënë theksin te përpjekja për të zhbllokuar konstituimin e parlamentit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, u shpreh se nuk ishte optimiste që sot do të votohej Albulena Haxhiu si kryeparlamentarja e re e Kosovës, edhe pse shpresonte që kjo të ndodhte.
Beteja bëhet për formimin e qeverisë. Nuk është çështje e lëshimit pe, është çështje parimore. Fituesi e propozon kryeparlamentarin. Asnjë parti nuk ka asnjë arsye ta refuzojë Haxhiun për këtë post. Ajo është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit. Arsyetimi i vërtetë është se nuk duan ta pranojnë vullnetin e qytetarëve.