Pranga një 28 vjeçari në Tiranë, u vetëplagos aksidentalisht me një pistoletë pa leje. Policia u vu në lëvizje pas njoftimit nga spitali për një person të dëmtuar në këmbë me armë zjarri. Nga hetimet rezultoi se ngjarja ndodhi në një lokal në rrugën Komuna e Parisit. Dy persona të tjerë u arrestuan dhe një u shpall në kërkim se e ndihmuan të fshihte gjurmët.
Tiranë
U vetëplagos me armën e zjarrit të cilën e posedonte pa leje, vihet në pranga 28-vjeçari. Vihen pranga edhe dy shtetas të tjerë si dhe shpallet në kërkim një tjetër pasi ndihmuan në fshehjen e armës së zjarrit dhe vendit të ngjarjes.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.
Pas njoftimit të marrë se rreth orës 01:20, datë 18.05.2025, në spital kishte shkuar për mjekim një shtetas i dëmtuar në këmbë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 nisën hetimet me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e saj dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në përfundim të tyre arrestuan shtetasit:
K.K., 28 vjeç, A.C., 33 vjeç dhe A.M., 30 vjeç, të tre banues në Tiranë. Si dhe shpallen në kërkim shtetasin E.E., 41 vjeç, banues në Kuçovë.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 28-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht, në ambientet e një lokali në Komunën e Parisit, me një armë zjarri, të cilën e posedonte pa leje. Aktualisht, ky shtetas është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shtetasit A.C dhe E.E, kanë marrë armën e zjarrit dhe gëzhojën dhe i kanë fshehur në një ambient jashtë lokalit, ndërsa shtetasi A.M (kamarieri i lokalit) ka fshirë vendin e ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.