Aktualitet

Ngjarjet kriminale të korrikut, RENEA zbarkon në Sarandë!

Muajin e fundit, Saranda është vendosur në epiqendër të ngjarjeve të kronikës së zezë. Prej orës 03:30 të mëngjesit, në qytetin bregdetar jugor kanë zbarkuar forcat speciale RENEA, duke zhvilluar kontrolle për kapjen e personave në kërkim, të përfshirë në ngjarje kriminale të ndryshme. Paralelisht, kontrolle ka edhe nga FNSH-ja e “Shqiponjat”.

Ende nuk ka informacione mbi rezultatet e këtij operacioni, por priten detaje orët në vijim. Ky është i dyti aksion brenda dy ditëve, pas atij në orët e para të mëngjesit të së dielës kur pati kontrolle nga forcat operacionale të Tiranës e Vlorës, në bashkëpunim me FNSH-në dhe “Shqiponjat”, ndonëse pa rezultat.

Mbrëmjen e djeshme, shpërthimi i eksplozivit shkatërroi automjetin e 31-vjeçarit Klaus Jaçaj, person me precedentë dhe aktualisht në kërkim për “Përkrahje të autorit të krimit”, lidhur me ngjarjen e 17 korrikut, kur në Sarandë u plagosën me armë dy të rinj nga Kamza.

7 korrik – Plagoset me armë në fshatin Markat të Sarandës, 44-vjeçari Saimir Haxhiu, person me precedentë penalë. Ngjarja ende e pazbardhur.

8 korrik – Në Ksamil u kap Shkëlqim Murati nga Kosova. 31-vjeçari mbante një armë zjarri pistoletë pa leje, në automjetin e tij “Range Rover”.

11 korrik – Policia ndaloi rastësisht në rrugën “Butrinti” një automjet me 4 persona. Dy ikën me vrap, njëri u hodh në det. Policia arriti të kapte tre prej tyre. Në pranga ranë Endrit Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali. Në çantën e krahut të Dokut u zbulua 1 pistoletë. Ervis Cukali, rezulton i kërkuar për pjesëmarrje në një planifikim vrasjeje në Fier.

11 korrik – Sherr mes disa personave në lagjen nr.3 të Sarandës. U shpall në kërkim D.R, 39 vjec nga fshati Gjashtë, pasi në bashkëpunim me një të mitur u konfliktuan për motive të dobëta me 3 shtetas nga Patosi e Tepelena.

16 korrik – Plagoset me thikë në rrugën “Mitat Hoxha”, Klodian Basholli nga Delvina, person me precedentë të rëndë penalë. U arrestua autori Elvis Ndoji, gjithashtu me precedentë penalë.

17 korrik – Dy grupe u përplasën me armë në mes të ditës në lagjen nr.4, në sy të pushuesve. Dy persona nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama mbetën të plagosur. Pjesë e grupit rival ishin Ramadan Zoto, Erjon Canaj, Klaus Jaçaj e Artan Murtaj, të gjithë me precedentë penalë, një i dënuar për vrasje. Njërit prej të plagosurve iu gjet një armë zjarri.

19 korrik – U dhunua biznesmeni Albert Pashaj në Ksamil. Konflikti kishte në fokus administrimin e një plazhi. Ngjarja rezulton e përsëritur, pasi Pashaj ishte dhunuar edhe më 6 qershor. Policia arrestoi 3 autorët, mes tyre biznesmenin Agim Taraj.

Po më 19 korrik – U dhunua në rrugën “Onhezmi” 25-vjeçari I.D nga Saranda. Policia ndaloi dy autorët E.N dhe I. N, nga fshati Gjashtë, persona me precedentë penalë dhe po i procedon në gjendje të lirë.

20 korrik – Të shtëna me armë zjarri në lagjen nr.4 të Sarandës, rruga “Mitat Hoxha”. Në sy të dhjetëra pushuesve që frekuentojnë zonën, u godit me qytën e një arme zjarri ish-efektivi i policisë Adil Veli. Policia identifikoi e shpalli në kërkim autorin, E.G., 44 vjeç.