Saranda u trondit nga një shpërthim me tritol, fatmirësisht pa të lënduar. Një automjeti të parkuar në lagjen nr.3 të qytetit bregdetar jugor iu vendos eksploziv, duke e hedhur në erë. Makina u përpi nga flakët e dhjetëra banorë apo turistë dolën nga banesat nga zhurma e fortë e shpërthimit, 10 minuta para mesnate.
Mjeti i parkuar pranë një pallati rezulton në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj, i shpallur në kërkim nga policia 4 ditë më parë, pas një sherri për motive të dobëta në bregdet. 31 vjeçari akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit. Dy të rinj mbetën të plagosur me armë zjarri.
Njoftimi policor:
Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K.J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas.