Aktualitet

Sesioni i ri Kuvendit, Ruçi: Të bashkohemi për integrimin në BE!

Nisi punimet sesioni i ri Kuvendit të Shqipërisë. Në fjalën hapëse kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi pasi bëri një bilanc të sesionit të shkuar, prezantoi edhe objektivat e ardhshme. Ruçi deklaroi se partitë politike duhet të luftojnë për qëllimin e përbashkët – integrimin e Shqipërinë në Bashkimin Europian. “I ftoj të gjithë që të ndajnë luftën e pushtetit nga lufta e përbashkët për integrimin në Europë. Integrimi do të jetë objektiv i pandryshuar i Kuvendit”, theksoi Ruçi. Kreu i Grupit Kuvendor të PS-së Taulant Balla pati një apel për opozitën e cila nuk ishte e pranishme në këtë fillim sesioni parlamentar. Ndërkaq ai tha se: “Në Konferencën e Kryetarëve kemi rëndë dakord që në hapje të këtij sesioni të merrnin fjalën krerët e grupeve parlamentare për të kontribuar për një film të mbarë të kësaj legjislature. Por nga mediat jemi njoftuar se dy grupet e opozitës janë në Shkodër për të zhvilluar një takim mes tyre për çështje që kanë të bëjnë me rendin publik në Shkodër. Prej vitesh rendi publik ka qenë problematik në atë pjesë të territorit. Në vitin 2010 kur ministër i Brendshëm ishte kryetari aktual i PD, Lulzim Basha, ato arritën në nivelin më të lartë, 18 vrasje vetëm në Qarkun Shkodër, gjatë vitit 2010. Krahasuar me 8 vrasje gjatë 8 muajve të parë të 2018. Sigurisht ne jemi shumë të shqetësuar për çdo vrasje nga krimi, dhe janë ngjarje që duhen zbardhur. Z.ministër Xhafaj, ne kemi besim tek ju dhe policia se këto ngjarje do zbardhen”, u shpreh deputeti socialist Taulant Balla. Ndërkaq nga Shkodra ku partitë opozitare zhvilluan një mbledhje të përbashkët të grupeve, mesazhi dominues ishte rritja e kriminalitetit. Në fjalën e tij, kreu i PD kërkoi largimin e Drejtorit të Policisë Qarku Shkodër duke e kërcënuar atë si bashkëfajtor në kriminalitet. “Në më pak se 3 muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer 2 persona. Kjo është situata në Shkodër. Këtu duhet të ishte kryeministri, jo për të shitur mend dhe për të bërë batuta, por për të raportuar arrestimin e kriminelëve që kanë 6 muaj që terrorizojnë Shkodrën. Por Rama nuk mund të jetë këtu, është në Tiranë me Çyrbjen, Taulant Ballën e Fatmir Xhafën” – tha Basha.